Investimet e FSHF në infrastrukturë/ Stadiumi “Myslim Koçi”, në fazën finale shtrimi i tapetit

Futboll Vendi | 1 orë më parë

Punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Myslim Koçi” në Gramsh janë në fazën finale, me impiantin që tashmë ka marrë formën e tij të re.

Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, ka përmbyllur të gjitha punimet e tjera të parashikuara në kuadër të rikonstruksionit të stadiumit. Ndërkohë, vijon puna për shtrimin e tapetit të ri të fushës, i cili ndodhet në fazën përfundimtare.

Paralelisht, po kryhet edhe mobilimi i ambienteve të brendshme të stadiumit, duke kompletuar hapësirat që do t’u shërbejnë ekipeve dhe stafit.

Me përfundimin e këtyre ndërhyrjeve, “Myslim Koçi” do të jetë një impiant i rinovuar dhe modern në shërbim të futbollit të Gramshit, duke krijuar kushte më të mira për ekipet, akademitë dhe futbollistët e rinj.

Zhvillimi i infrastrukturës vijon të jetë një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit, me investime që synojnë përmirësimin e kushteve dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e futbollit në të gjithë vendin.

Stadiumi “Myslim Koçi” pritet të jetë së shpejti gati për të mirëpritur aktivitetet sportive dhe për t’i shërbyer komunitetit të Gramshit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme