Manaj: Të marrim tri pikët ndaj San Marinos

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër San Marinos, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Sulmuesi Rey Manaj u shpreh se skuadra do të luajë nesër vetëm për fitore dhe për të marrë tre pikët.
Ndeshja nesër me San Marinon dhe si është gjendja e ekipit pas humbjes me Finlandën? – Ndeshja me San Marinon varet nga mënyra se si e marrim. Është një ekip shumë më i dobët se ne, por gjërat duhen demonstruar në fushë. Pas ndeshjes që luajtëm në Finlandë, në letër është ndeshja më e lehtë nga të tjerat. Ne do të futemi në fushë që në pjesën e parë për ta mbyllur direkt ndeshjen, të fitojmë dhe të marrim tri pikët.
Mënyrë tjetër e të shënuarit të golave me trajnerin Maran, jo me aksione. – Këto janë statistika që i shohin njerëzit jashtë. Për ne e rëndësishme është të shënojmë gol, ndërsa mënyra se si shënojmë është tjetër gjë. Ne punojme si në aksione, ashtu edhe nga goditjet e këndit. Ishalla kemi fat nesër, të shënojmë gola e t’ju bëjmë edhe juve të lumtur.
Sa kohë do të na duhet që të marrim idetë e trajnerit Maran? – Unë besoj se trajneri ka shumë pak kohë, por idetë e tij i ndjekim të gjithë. Të gjithë janë profesionistë, si çunat që kanë më shumë kohë në kombëtare, ashtu edhe të rinjtë që kanë ardhur. Çdo kohë që kalon është më mirë për ne. Shpresoj të jemi 100% gati kur të fillojnë kualifikueset e Europianit.
Sa presion ka sulmi për t’i shënuar sa më shumë San Marinos? – Besoj se sa më shumë gola të bëjmë, aq më të lumtur do të jemi. Është një ekip me të cilin duhet të luajmë fort, duke menduar që nga fillimi se duhet ta zhbllokojmë ndeshjen. E kemi parë edhe vjet kundër Andorrës, e cila është më e dobët se ne, por i bëmë gol vetëm në minutën e 80-të. Ne duam që në 20 minutat e para të sulmojmë fort për ta hapur ndeshjen dhe pastaj, ishalla, të bëjmë më shumë gola se ç’kanë bërë ekipet e tjera.
A pret nga lojtarë të caktuar të pasojnë për të shënuar dhe a je supersticioz? – Me të gjithë lojtarët shkojmë mirë. Grupi është shumë i mirë dhe është përmirësuar shumë. Çdo lojtar që luan do më të mirën e ekipit. Jam i lumtur të luaj me të gjithë lojtarët. Nuk jam supersticioz.
13 gola me kombëtaren. A mendon se do ta thyesh rekordin e Bogdanit? – Dëshira do të ishte e madhe, por për mua kryesore është të marrim 3 pikët. Se bëj gol unë apo të tjerët, ka pak rëndësi për mua. Të shohim; në vitin e fundit kam bërë 5 gola. Më parë kam pasur edhe dëmtime dhe nuk isha shumë stabil me gjendjen time që ta ndihmoja ekipin me gola. Tani gjërat po ecin shumë mirë dhe shpresoj vetëm të vazhdojmë kështu.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




