Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, Muça: U vendos nga sheshi. Evropianët nuk janë shumë entuziastë
Gazetari dhe analisti Flogert Muça ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH 24 se zgjedhja e presidentes së Kosovës nuk erdhi si rrjedhojë e një vullneti të lirë politik, por si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë nga reagimi qytetar në shesh dhe qasjes pragmatike të SHBA-së për të mbyllur krizën.
Muça theksoi se dështimi i njëpasnjëshëm i kandidaturave partiake të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje tregoi kufijtë e pushtetit të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas tij, kthesa e madhe erdhi nga mobilizimi popullor.
“Albin Kurti nuk është ndonjë trim i madh. Problemi është që s’ka patur opozitë përballë. Dhe në momentin që opozita doli përballë dhe ishte jo përballë por ishte në shesh dhe kur pa që brezi që kishte lindur pas lufte ishte në shesh duke broritur UÇK me sa duket e kuptoi që edhe ai nuk është i përjetshëm dhe lehtësisht mund të mundet…
Dhe kjo tregon pikën më të dobët të tij dhe në këtë kuptim nuk ka asnjë surprizë. Sigurisht që ai ka qenë emër i diskutuar, ka qenë ndër emrat, mund të ketë qenë ndër emrat më të më të pranueshëm në kuptimin që ishte një njeri i cili kishte mbi 10 vite që ishte i distancuar politikisht”, u shpreh Muça.
Lidhur me rolin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e ngërçit, Muça bëri një dallim të prerë mes Uashingtonit dhe Brukselit. Ndonëse amerikanët insistuan për mbylljen e krizës politike, diplomacia evropiane mbetet skeptike.
“Amerikanët duan mbylljen e krizës, ndërsa evropianët nuk janë shumë entuziastë për këtë pjesë. Për europianët nuk është thjesht historia se çfarë u bë me presidentin, por se çfarë do të bëhet me Specialen”, sqaroi ai.
Sipas tij, për të kapërcyer bllokadën që shkaktonin emrat e linjës aktive partiake, u zgjodh një figurë me profil akademik nga Akademia e Shkencave shërbeu si formula e vetme eficiente.
Sipas Muçës, kjo zgjidhje i dha Albin Kurtit një “shteg dalje” të pranueshëm publikisht, duke zëvendësuar kandidatët e dështuar politikë me një figurë të distancuar nga politika ditore dhe të respektuar nga palët.
“Ka një ndryshim që në qoftë se të gjithë emrat që ishin më herët ishin emra që vinin nga radhët e Vetëvendosjes, rasti i presidentes aktuale tanimë të zgjedhur nuk vinte nga politika aktive, ishte tanimë në krye të Akademisë së Shkencave dhe ishte një figurë e nderuar nga të gjitha palët.
Pra sigurisht është një formulë që i jep një shteg dalje Albin Kurtit në raport me për të thënë që është një zonjë e nderuar akademike e tjera me radhë.
Por arsyeja e vërtetë në qoftë se duam ta themi është sheshi. Sheshi i cili siç e tha dhe Vangjeli vjen nga ata katër burrat atje që kanë atë legjitimitet dhe atë fuqi që ne e kemi parë. Dhe sigurisht që bashkë me këtë shesh unë mendoj se aleatët që nuk janë kryekëput pas gjykatës së Hagës, pas dhomave të specializuara që janë amerikanët…”, deklaroi Muça.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




