Buxheti 2027 dhe Anti-Mafia, Komisioni i Ligjeve zhvillon dëgjesa me 5 institucione të pavarura dhe shqyrton kërkesat për shtesë fondesh

Nën drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike vijoi shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026” përmes zhvillimit të dëgjesave me 5 institucione të pavarura lidhur me parashikimet buxhetore për vitin 2027. Mbledhja u shoqërua me relatimet e deputetëve Aulona Bylykbashi dhe Ermal Pacaj, si dhe me opinionin e përfaqësueses së Ministrisë së Financave, Vilma Çausholli.
Kërkesat buxhetore të institucioneve të pavarura për vitin 2027
Gjatë seancave të dëgjesave, drejtuesit e institucioneve parashtruan nevojat financiare dhe sfidat infrastrukturore.
Prokuroria e Përgjithshme
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Arqilea Koça, konfirmoi se buxheti i planifikuar i përmbush nevojat bazë, por paraqiti “kërkesën shtesë për 2 punonjës IT për vënien në funksion të sistemit të menaxhimit të çështjeve”.
Gjykata Kushtetuese
Sekretari i Përgjithshëm, Eugent Papandile, bëri me dije se kërkesat për shtimin e personelit janë marrë parasysh, duke kërkuar gjithashtu “disa shtesa për zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore”.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Kryetarja Gentiana Sula kërkoi fond shtesë për shpenzimet korrente, me arsyetimin se ato “do të përdoren për sigurinë e dokumentacionit arkivor, vazhdimësinë e shërbimeve digjitale dhe përmbushjen e funksioneve institucionale në fushën e transparencës, informimit dhe edukimit qytetar”.
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP)
Kryetari Ismail Shehu detajoi një kërkesë shtesë prej 61 milionë lekësh, të cilat “do të përdoren për marrjen me qira të ambienteve dhe shtesë personeli”.
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC)
Komisionerja Lefterije Lleshi (Luzi) kërkoi mbështetje shtesë për digjitalizimin, infrastrukturën teknologjike, logjistikën si dhe “fushatat ndërgjegjësuese për punonjësit civilë në prag të zgjedhjeve vendore”.
Në përmbyllje të dëgjesave, Manja sqaroi se të gjitha kërkesat do të rakordohen me Ministrinë e Financave për të shqyrtuar rialokimin e fondeve brenda tavaneve buxhetore.
Miratimi i raportit për Ligjin Anti-Mafia dhe riorganizimi i KMSHC-së
Në mbledhjen e dytë, komisioni miratoi raportin e Kontrollit Post-Legjislativ për Ligjin Anti-Mafia (Ligji nr. 10192). Kryetari Manja nënvizoi se dokumenti përmban “22 gjetje dhe 25 rekomandime, që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e zbatimit të tij”.
Fokus i veçantë në këtë raport i është kushtuar qartësimit të dispozitave dhe garancive procedural; përmirësimit të hetimit pasuror dhe aksesit në informacion; administrimit transparent të pasurive të konfiskuara, ripërdorimit të tyre për qëllime publike e sociale dhe parandalimit të rikthimit te subjektet të cilave u janë konfiskuar.
Së fundmi, komisioni miratoi edhe projektvendimin për riorganizimin e strukturës së KMSHC-së. Relatorja Aurora Mara mbështeti kërkesën për rritjen e stafit nga 37 në 50 punonjës, ndërsa Ministria e Financave konfirmoi se efektet financiare të kësaj shtese janë parashikuar tashmë në projektbuxhetin e vitit 2027.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




