Hyn në fuqi ligji i ri për peshkimin, kamera në bordin e anijeve, monitorim satelitor, gjoba deri në 500 mijë lekë dhe mbrojtje e ekosistemeve

Bujqësi | 2 orë më parë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri “Për peshkimin'”, një reformë e rëndësishme ligjore e dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe e botuar në Fletoren Zyrtare. Ky ligj realizon përafrimin e pjesshëm të kuadrit normativ shqiptar me Rregulloren (BE) 2023/2842 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, duke vendosur standarde të reja evropiane për kontrollin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e burimeve detare.

Formulimi i ri ligjor zgjeron nocionin e mjeteve të peshkimit duke përcaktuar se “‘Anije peshkimi’ është një anije peshkuese ose çdo anije tjetër e përdorur për shfrytëzimin tregtar të burimeve biologjike detare”, me përjashtim të anijeve kontejnerë dhe atyre të përdorura ekskluzivisht për akuakulturë.

Monitorimi elektronik REM dhe sistemi satelitor VMS

Një nga risitë më kryesore teknologjike të ligjit lidhet me detyrimin e instalimit të sistemeve të avancuara të kontrollit në distancë për flotën detare shqiptare.

Sistemi REM (Remote Electronic Monitoring)

Ligji ngarkon anijet me gjatësi 18 metra ose më shumë, që paraqesin rrezik të lartë të mosrespektimit të rregullave, me detyrimin për të instaluar një sistem REM funksional. Sipas ligjit, ky sistem “duhet të jetë në gjendje të monitorojë dhe të kontrollojë në mënyrë efektive respektimin e detyrimit për zbarkim” dhe do të përfshijë kamera televizive me qark të mbyllur (CCTV) e sensorë detarë.

Sistemi satelitor VMS (Vessel Monitoring System)

Çdo anije peshkimi shqiptare do të mbajë në bord pajisje lokalizimi automatik me lidhje satelitore. Për anijet më të vogla se 9 metra, detyrimi shtyhet deri më 1 janar 2030, me kusht që ato të operojnë vetëm brenda 6 miljeve detare nga bregu.

Të gjitha të dhënat do të përpunohen 24/7 nga Qendra e Monitorimit të Peshkimit (QMP) në bashkëpunim me Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).

Ndihma shtetërore dhe rregullimi i fuqisë motorike

Për herë të parë, kuadri ligjor garanton një skemë të posaçme mbështetjeje financiare për operatorët e sektorit. Ligji sanksionon se “sektorit të peshkimit i jepet ndihmë shtetërore, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për peshkimin dhe për ndihmën shtetërore”, e cila do të financohet drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit.

Sa i përket anijeve me fuqi motorike të padeklaruar saktë, ligji ofron një dritare korrigjimi deri më 31 dhjetor 2027. Subjektet mund të rregullojnë të dhënat e fuqisë motorike “kundrejt pagesës së diferencës së taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit për periudhën nga viti i zëvendësimit të motorit”.

Mbrojtja e specieve të rrezikuara dhe ndalimi i mjeteve dëmtuese

Ligji forcon mbrojtjen ekologjike duke ndaluar rreptësisht peshkimin, zbarkimin apo tregtimin e një sërë specieve të mbrojtura ujore. Në listën e kuqe përfshihen korani i lumit, troftat specifike, blinjtë, peshkaqenët, rajat, lopa e detit (Mobula), gurëshpuesi (datari), delfinët, fokat, breshkat e detit, si dhe molusqet dyguaskore si Pinna nobilis.

Gjithashtu, ndalohet përdorimi i mjeteve shkatërruese për mjedisin detar si “Kryqi i Shën-Andreas” (vegël që përdor veprim gërshërë në fundin e detit). Sa i përket peshkimit çlodhës me pushkë nënujore, ai lejohet vetëm pa përdorimin e bombolave të oksigjenit dhe ekskluzivisht “nga agimi deri në perëndim”.

Sanksione të ashpra dhe heqje përfundimtare e lejes me sistem pikësh

Ligji i ri përditëson listën e shkeljeve të rënda, ku futen peshkimi pa licencë, falsifikimi i dokumenteve elektronike, manipulimi i motorit ose pajisjeve VMS/REM, si dhe “kryerja e aktiviteteve të peshkimit, duke përdorur punë të detyruar”.

Mos instalimi ose dëmtimi i pajisjeve të kontrollit dënohet me gjoba nga 200,000 deri në 500,000 lekë. Paralelisht, zbatohet një sistem me pikë penalizuese për kapitenët dhe lejet e peshkimit:

  • 18 pikë: Pezullim i lejes për 2 muaj.
  • 36 deri 72 pikë: Pezullim nga 4 muaj deri në 1 vit për përsëritjet e njëpasnjëshme.
  • 90 pikë: Tërheqje përfundimtare e lejes së peshkimit dhe e të drejtës për të komanduar anijen.

Për shqyrtimin e ankesave dhe administrimin e lejeve, ligji ngarkon strukturat e ministrisë përgjegjëse për ngritjen e Komisionit të Përhershëm të Shqyrtimit të Lejeve dhe Komisionit për Shqyrtimin e Ankimimeve.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme