Opozita braktis mbledhjen e Reformës Zgjedhore, Bylykbashi: Kërkojmë lista 100% të hapura, kemi gati paketën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor

Politikë | 3 orë më parë

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore nga radhët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka shpjeguar arsyet e largimit të opozitës nga mbledhja e komisionit, duke akuzuar mazhorancën se po tenton të imponojë në mënyrë të njëanshme ndryshime që, sipas tij, nuk përbëjnë prioritet të reformës. Bylykbashi deklaroi se Partia Socialiste po përpiqet të devijojë diskutimet nga rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të çojë komisionin drejt një situate të ngjashme me atë të Reformës Territoriale.

“Mazhoranca do ta fusë në mënyrë të qëllimshme për të minuar punën e komisionit. Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të çojë në hullinë e komisionit të Reformës Territoriale. Kjo s’do të ndodhë në këtë komision. Opozita vendosi veton karshi këtij akti të paprecedentë”, deklaroi Bylykbashi.

Ai theksoi se prioriteti kryesor i opozitës është zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR, veçanërisht ndarja e shtetit nga partia dhe ndalimi i përdorimit të burimeve shtetërore në funksion të partisë në pushtet.

“Prioriteti janë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe ndarja e shtetit nga partia. Ndalimi i abuzimit me burimet shtetërore në favor të partisë në pushtet”, u shpreh ai.

Një tjetër kërkesë e opozitës, sipas Bylykbashit, është ndryshimi i sistemit zgjedhor përmes hapjes 100% të listave dhe aplikimit të një sistemi proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura.

“Theksuam se është prioritet absolut politik, i gjithëndarë nga gjithë shoqëria, ndryshimet thelbësore në sistemin zgjedhor, hapja 100% e listave dhe një proporcional kombëtar me lista 100% të hapura”, deklaroi ai.

Bylykbashi tha se opozita kërkon që edhe në zgjedhjet për këshillat bashkiakë të aplikohet sistemi me lista 100% të hapura, duke iu referuar zgjedhjeve të 9 majit.

“Gjithashtu ne kërkuam që edhe për këshillat bashkiakë, për zgjedhjet e 9 majit të votohet me lista 100% të hapura për këto këshilla. Ndryshimet që propozon PS prekin sistemin zgjedhor për këshillat bashkiakë në mënyrë të njëanshme, janë të papranueshme, ndërkohë që ajo që është prioritet është zbatimi i rekomandimeve dhe hapja e listave me 100% në të dyja nivelet. Nuk do të pranojmë më veprime të tilla të njëanshme”, tha ai.

Bylykbashi theksoi se Partia Demokratike dhe opozita kanë gati paketën e ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor, e cila përfshin ndarjen e shtetit nga partia, ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe çështje të tjera që lidhen me procesin zgjedhor.

“Sapo Komisioni i Reformës Zgjedhore të kthehet në hullinë e tij normale të konsensualitetit, PD dhe opozita e kanë gati paketën e ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor dhe më gjerë, në lidhje me ndarjen e shtetit nga partia dhe ndryshimet për sa i përket sistemit zgjedhor dhe çdo aspekti tjetër”, përfundoi Bylykbashi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme