“Nuk dua të shkoj në ferr”/ Trump pranon: Goditja ndaj emigracionit mund të ketë qenë tepër e ashpër

Amerikë | 3 orë më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se politika e tij për dëbimin e emigrantëve të parregullt mund të ketë qenë tepër e ashpër dhe të ketë ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Në një intervistë për televizionin CBS News, Trump pranoi se strategjia e ndjekur nga administrata e tij ka pasur pasoja të dyfishta. Nga njëra anë, ajo ka forcuar kontrollet në kufi dhe ka mundësuar largimin e personave të akuzuar për veprimtari kriminale, por nga ana tjetër ka prekur edhe emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në SHBA, por ndërkohë kishin gjetur punë dhe në disa raste, paguanin rregullisht taksat.

Presidenti la të kuptohet se kjo qasje mund të ketë ndikuar në rezultatin elektoral të republikanëve, në një kohë kur ai përballet me një Kongres ku demokratët kontrollojnë të dyja dhomat.

Gjatë së njëjtës intervistë, Trump foli edhe për besimin fetar dhe shpresën për jetën pas vdekjes, duke u shprehur: “Shpresoj të shkoj në parajsë, nuk dua të shkoj në ferr”.

Pavarësisht pranimit se politika e dëbimeve mund të ketë qenë tepër e ashpër, deklaratat e Trump nuk sinjalizojnë për momentin një ndryshim të qartë të kursit. Emërimi i Stephen Millerit, një prej mbështetësve kryesorë të politikave kufizuese të emigracionit, si shef i ri i stafit të Shtëpisë së Bardhë, tregon vazhdimësinë e kësaj linje.

Ky emërim ka shkaktuar pakënaqësi edhe brenda Partisë Republikane. Senatori Thom Tillis e cilësoi atë një “gabim kolosal”.

Dëbimet masive kanë qenë një nga shtyllat kryesore të mandatit të dytë të Trump, por mbështetja për këtë politikë ka ardhur duke u zbehur. Një sondazh i realizuar në korrik 2026 nga qendra kërkimore NORC tregonte se vetëm 39% e të anketuarve miratonin mënyrën se si Shtëpia e Bardhë po trajtonte çështjen e emigracionit, dhjetë pikë përqindjeje më pak se në fillim të mandatit të dytë.

Në rënien e mbështetjes kanë ndikuar edhe polemikat për operacionet e agjencisë federale të Emigracionit dhe Doganave (ICE). Protestat u përhapën në disa pjesë të vendit pas vrasjeve të Renee Good dhe Alex Pretti në Minneapolis.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme