Bisedimet SHBA-Rusi-Ukrainë, Gjermania: Moska duhet të provojë se kërkon vërtet paqen

Europë | 10 minuta më parë

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Rusisë dhe Ukrainës, që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi, do të jenë një test i rëndësishëm për të kuptuar nëse Moska është realisht e gatshme të negociojë për t’i dhënë fund luftës.

Në prononcimin e tij në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të G7 në Paris, Wadephul theksoi se pyetja kryesore mbetet nëse Rusia ka vullnet të sinqertë për të arritur një zgjidhje përmes dialogut.

“Pyetja thelbësore që duhet të marrë përgjigje në ditët në vijim është nëse Rusia është vërtet e përgatitur për të negociuar”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje Moskës të heqë dorë nga kërkesat maksimaliste dhe të shmangë atë që e cilësoi si një “shfaqje negociatash”.

Pas një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, kreu i diplomacisë gjermane tha se të dy palët ndajnë të njëjtin qëndrim se ekziston mundësia për t’i dhënë fund konfliktit përmes negociatave.

“Ne ramë dakord se ekziston një shans për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës përmes bisedimeve. Por parakushti është që Rusia të heqë dorë nga kërkesat e saj maksimaliste”, deklaroi Wadephul.

Megjithatë, ai shprehu skepticizëm lidhur me qëndrimin aktual të Moskës, duke theksuar se sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës civile ukrainase nuk japin sinjale pozitive për një angazhim serioz në procesin e paqes.

Sipas tij, deri më tani Rusia nuk ka dhënë prova të mjaftueshme se është e gatshme të bëjë hapa konkretë drejt një marrëveshjeje.

“Nuk shohim asnjë kontribut të konsiderueshëm nga Moska që do t’u jepte vrull serioz negociatave. Nëse kjo do të ndodhte, të gjithë do të ishin të gatshëm të angazhoheshin në mënyrë shumë konstruktive”, tha ai.

Wadephul nënvizoi se qëndrimi i Gjermanisë dhe partnerëve perëndimorë mbetet i pandryshuar: mbështetje për një zgjidhje të negociuar, por vetëm nëse Rusia demonstron me veprime konkrete gatishmërinë për kompromis dhe përfundimin e agresionit ndaj Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme