Zgjedhjet vendore 2027, KQZ kërkon 265 milionë lekë shtesë: Mungesa e fondeve ndikon në sigurinë e sistemeve dhe logjistikën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon 265.4 milionë lekë shtesë për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në një shkresë drejtuar Fatmir Xhafajt, kreu i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka evidentuar nevojat financiare që kanë mbetur të pambuluara në projektbuxhetin 2027, duke paralajmëruar se mungesa e fondeve mund të ndikojë në sigurinë e sistemeve dhe logjistikën e duhur për procesin e ardhshëm zgjedhor.
Nga kërkesa shtesë prej 364.7 milionë lekësh, në projektligjin e buxhetit janë reflektuar vetëm 99.3 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 265.467.232 lekësh mbetet e pambuluar.
Një prej shqetësimeve kryesore lidhet me infrastrukturën teknologjike dhe sigurinë e sistemeve zgjedhore. Për këtë qëllim, KQZ kërkon 51.7 milionë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës TIK dhe rinovimin e licencave.
“Masat për vitin 2027 përfshijnë mirëmbajtjen, testimin dhe garantimin e sigurisë së sistemeve kritike, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik 2027-2031 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultati i pritshëm është garantimi i gatishmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimeve digjitale gjatë procesit zgjedhor. Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë”, thuhet në letër.
Një tjetër problem lidhet me Platformën Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare. Për përmirësimin e saj nevojiten rreth 20 milionë lekë, ndërsa KQZ është në pritje të konfirmimit të financimit nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.
“Nevojitet mbështetje për përshtatjen me regjimin juridik dhe funksional të platformës PERF, standardizimin e kategorive të raportimit, validimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve në format të hapur. Për këtë masë, fondet i janë kërkuar Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe KQZ mbetet në pritje të konfirmimit nëse fondi prej rreth 20.000.000 lekësh do të alokohet nga donatori. Do të vlerësonim që në rast pamundësie financimi nga donatori, kjo kërkesë shtesë e pambuluar të konsiderohej për mbulim me fonde buxhetore”, thuhet në letër.
Pjesë e kërkesës financiare janë edhe 33.7 milionë lekë për qiranë e magazinave në Vaqarr dhe 180 milionë lekë për projektin e magazinës dhe shërbimin e supervizimit.
Në dokument, KQZ paralajmëron se mosmbulimi i këtyre nevojave mund të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjet logjistike.
“Këto nevoja mbështesin ruajtjen dhe administrimin e materialeve dhe pajisjeve zgjedhore, por nuk janë identifikuar në dokumentet burimore si fond i dedikuar për një rekomandim të vetëm. Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027”, thuhet në letër.
Sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet vendore, KQZ rendit si prioritete trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e sigurisë së sistemeve dhe pajisjeve, informimin e zgjedhësve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit.
Në shkresë bëhet e ditur gjithashtu se disa prej rekomandimeve të Kuvendit dhe OSBE/ODIHR-it janë ende në proces zbatimi. Mes tyre është edhe hartimi i programit të standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve, ndërsa fushatat informuese dhe matja e nivelit të njohurive ende nuk kanë nisur.
KQZ thekson se për vitin 2027 synon administrimin e sigurt dhe transparent të zgjedhjeve, ndërsa realizimi i aktiviteteve do të varet nga fondet që do të alokohen për këtë proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




