Procedura e shkarkimit kundër Pete Hegseth përçan Kongresin, Dhoma e Përfaqësuesve drejt votimit pas humbjes së republikanëve në mesmandat

Reagimet politike në Uashington janë intensifikuar ndjeshëm pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbrojti veprimet e tij ushtarake në Iran dhe Venezuelë, duke e cilësuar nismën për shkarkimin e tij si një “farsë” dhe “sabotazh” që i ofron një fitore propagandistike kundërshtarëve të SHBA-së. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të mbajë një votim të rëndësishëm procedural mbi nenet e shkarkimit të paraqitura nga kongresmeni republikan Thomas Massie, në një moment kur tensionet politike janë rritur pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Iniciatori i rezolutës, Thomas Massie, argumenton se mbajtja e trupave në konfliktin me Iranin pa miratimin e legjislativit shkel haptazi ligjin. Sipas tij, Rezoluta e vitit 1973 për Fuqitë e Luftës kërkon tërheqjen e trupave brenda 60 ditëve nëse nuk ka një Autorizim për Përdorimin e Forcës Ushtarake (AUMF), ndërsa “lufta kundër Iranit ka vazhduar për 256 ditë”, çka sipas tij vërteton se “Hegseth po e shkel ligjin”.
Nisma ka ndarë me forcë kabinetin dhe ligjvënësit në të dyja krahët e politikës.
Demokratët kërkojnë shkarkim të menjëhershëm
Kongresmenja Delia C. Ramirez deklaroi se “duhet ta shkarkojmë Hegseth. Është koha për të VEPRUAR”, ndërsa kongresmeni Herb Conaway iu kundërvu deklaratave të shefit të Pentagonit duke u shprehur se “askush nuk po i ndjek anëtarët e shërbimit tonë. Po ju ndjekim juve për veprimet tuaja të pamatura dhe paaftësinë e rrezikshme”. Po ashtu, kongresmetet Jasmine Crockett dhe Sara Jacobs akuzuan Hegsethin për udhëheqjen e një “lufe të paligjshme dhe jokushtetuese” si dhe për sulme të paautorizuara në Jemen e Paqësor.
Mbrojtja nga Shtëpia e Bardhë dhe lidershipi republikan
Zëvendëspresidenti JD Vance e quajti procedurën “absurde”, duke thënë se “impeachmenti është bërë një shfaqje qesharake që zëvendëson politikëbërjen aktuale”. Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e cilësoi Massie-n si një “kongresmen të pakënaqur”, duke shtuar se shkarkimi i sekretarit në kohë konflikti “u dërgon një mesazh të tmerrshëm armiqve dhe aleatëve tanë”. Presidenti Donald Trump ripërsëriti mbështetjen e tij me nota maksimale për Hegsethin, duke e quajtur Massie-n “një humbës total”.
Qëndrimet e luhatura dhe kalkulimet e votave
Ndërsa ligjvënës si Andy Ogles dhe Nancy Mace mbrojtën punën e Hegseth-it, republikani i moderuar Don Bacon deklaroi se do të votojë kundër shkarkimit, me gjithë rezervat e tij personale për sekretarin. Nga ana tjetër, senatori republikan Ted Cruz u shpreh në podkastin e tij se është “jashtëzakonisht e mundshme, nëse jo e sigurt” që Dhoma e Përfaqësuesve do ta miratojë shkarkimin, duke parashikuar se Hegseth “do të japë dorëheqjen ose Trump do ta shkarkojë atë”.
Nga pikëpamja procedurale, procesi kërkon shumicën e thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta shpallur zyrtarisht të akuzuar (impeached) zyrtarin. Nëse rezoluta miratohet, çështja kalon në Senat për gjykim, ku për shkarkimin përfundimtar nga detyra kërkohet një shumicë prej dy të tretave (67 vota). Raportimet e medias amerikane sugjerojnë se ndonëse rezoluta mund të marrë mbështetje dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve, dënimi në Senat mbetet thuajse i pamundur, meqenëse republikanët ruajnë kontrollin me 53 vende.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




