Skandali i spiunazhit dhe lidhjes romantike që tronditi Nvidia-n, kush është Alice Huang, gruaja që kërcënon gjigantin e çipave?

Botë | 22 minuta më parë

Një histori që ndërthur spiunazhin teknologjik, financën ndërkombëtare dhe një histori romantike ka vënë në shënjestër gjigantin e gjysmëpërçuesve Nvidia, me një vlerë tregu prej 4.31 trilionë dollarësh, si dhe CEO-n e saj, Jensen Huang. Në qendër të këtij skandali ndodhet Alice Huang, e cila nga inteligjenca amerikane besohet se është një spiune kineze.

Karriera e Alice Huang përfshin përvojë në televizionin shtetëror kinez dhe financë, ku ka punuar për bankën HSBC dhe ka shërbyer si partnere në fondin “Hexi Private Equity Partners”. Më vonë, ajo mori një rol drejtues në kompaninë “Megaspeed” me bazë në Singapor — një entitet që paraqitet si ofrues shërbimesh cloud të bazuara në harduerin Nvidia, por që aktualisht është nën hetim në disa juridiksione me dyshimin për kontrabandë gjysmëpërçuesish.

Përmes kësaj pozite, Alice ka tentuar të mbyllë marrëveshje me investitorë kinezë për çipat e inteligjencës artificiale, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e biznesit me gjigantin teknologjik Alibaba.

Takimi i parë mes saj dhe themeluesit të Nvidia-s, Jensen Huang, daton në fillim të vitit 2024 gjatë një eventi vjetor në Kaliforni. Që nga ai moment, të dy janë panë disa herë së bashku në ambiente publike e private.

Në Qershor 2024, të dy u fotografuan së bashku gjatë aktivitetit “Computex Taipei”, duke festuar me drejtues të tjerë të sektorit teknologjik. Ndërsa në Maj 2025, Alice u pa përsëri pranë Jensen Huang gjatë një darke në një restorant kinez në Tajvan, ku sipas raportimeve “u fotografua duke e puthur Huang në faqe dhe më pas duke hipur në makinën e tij në fund të mbrëmjes”.

Rasti mori përmasa publike muajin e kaluar, kur doli në pah se Jensen Huang kishte rënë pre e një operacioni të spiunazhit kinez, ku Alice Huang rezultoi të ishte figura kyçe. Pas zbardhjes së detajeve mbi lidhjen e tyre romantike, drejtuesi i Nvidia-s u detyrua të pranonte publikisht marrëdhënien jashtëmartesore, çka ka përbërë një goditje të fortë për imazhin e tij publik dhe të kompanisë.

Aktualisht, vendndodhja e saktë e Alice Huang mbetet e paqartë, megjithëse burime të medias amerikane bëjnë me dije se ajo ndodhet në territorin e Kinës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme