Albanian Files, Vangjeli: SPAK ka bërë gjetje të caktuara. Afatet hetimore mund të shtrihen gjatë
Analisti Lorenc Vangjeli komentoi në emisionin “Trialog” zhvillimet që lidhen me të ashtuquajturën dosje “Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një çështje me potencial për të prekur nivele të larta vendimmarrjeje dhe për të shtrirë hetimet në një spektër shumë të gjerë personash dhe institucionesh.
Sipas Vangjelit, pavarësisht perceptimit publik se bëhet fjalë për një dosje voluminoze, hetimi në vetvete nuk është domosdoshmërisht kompleks nga pikëpamja procedurale.
“Nuk di të them nëse është voluminoze, sepse pavarësisht se është pothuajse e pamundur të fusësh një kullë në thes, hetimi në këtë rast është relativisht i thjeshtë. Dosja ka hapur kapakun e një kutie ku gjendet një numër gati i pacaktuar personazhesh të rëndësishëm në Shqipëri, të cilët fillojnë nga KKT-ja dhe përfundojnë deri në zyrën e kryeministrit, një zinxhir i tërë dhe i mirëpërcaktuar”, u shpreh ai.
Vangjeli tha se një nga elementët më domethënës është fakti që dy kallëzime janë bashkuar në një procedim të vetëm dhe tashmë janë regjistruar në regjistrin e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme.
“Dy kallëzime, të cilat u bashkuan në një për shkak të objektit të përbashkët, tashmë janë regjistruar në regjistrin e posaçëm të prokurorisë. Kjo do të thotë se në një këqyrje paraprake të materialeve, SPAK-u ka vërtetuar, ka ngritur dyshime të bazuara ose ka bërë gjetje të caktuara në të cilat mund të ketë elementë të veprave penale”, deklaroi analisti.
Ai vuri në dukje se procedimi është regjistruar pa emra konkretë, një praktikë që sipas tij i jep më shumë hapësirë hetimit.
“Dosja është referuar pa emra të përveçëm, çka e bën spektrin e hetimit shumë më të gjerë. Por është edhe një trik që SPAK-u e ka përdorur shpesh, sepse në këtë mënyrë, sa kohë që nuk ke një emër konkret në dosjen që heton, afatet hetimore mund të shtrihen gjatë. Kjo është pjesa e rëndësishme e kësaj historie”, tha Vangjeli.
Sipas tij, procedimi përfaqëson vetëm hapin e parë të një procesi që synon t’u japë përgjigje dyshimeve të ngritura prej vitesh në opinionin publik lidhur me financimin e projekteve të mëdha të ndërtimit.
“Prej vitesh kemi folur për rastet kur, sa herë që kapej një grup kriminal shqiptar jashtë vendit ose sekuestrohej një sasi e madhe droge, për koincidencë në një objekt luksoz apo në një kullë të caktuar shihje vinçat që vazhdonin punën. Logjika kërkonte që për t’u dhënë përgjigje këtyre dyshimeve, mjaftonte që një prej këtyre objekteve të hetohej për burimin e financimit të tij”, u shpreh ai.
Sipas Vangjelit, dosja mund të shkojë përtej debatit mbi lejet e ndërtimit apo projektet urbanistike, duke u shndërruar në një pasqyrim të mënyrës sesi kanë funksionuar raportet mes politikës, biznesit dhe institucioneve.
“Në fakt, kjo dosje rrezikon të kthehet në skanerin më domethënës të shoqërisë shqiptare, të raportit mes institucioneve, të mënyrës së veprimit, të raportit mes pronës private dhe tjetërsimit të saj, të vullneteve të caktuara politike, pastrimit të parave dhe shumë elementëve të tjerë”, tha ai.
Vangjeli shtoi se hetimet mund të prekin aktorë nga fusha të ndryshme.
“Pa dyshim që përfshin politikën, biznesin dhe botën kriminale. Mes tyre mund të shohim edhe një numër mbresëlënës arkitektësh të huaj, nga më të njohurit në nivel ndërkombëtar, të cilët sipas ligjit mund të duhet të japin shpjegimet dhe dëshmitë e tyre për çështje të caktuara”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




