Progres në bisedimet Rusi-Ukrainë, arrihet marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve

Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi kanë prodhuar një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në shkallë të gjerë. Negociatorët rusë flasin për mirëkuptim në disa çështje, ndërsa pala amerikane paralajmëron takime të reja me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy për të vijuar diskutimet mbi një marrëveshje paqeje. Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, pas bisedimeve të zhvilluara në Abu Dhabi nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Lajmi u bë i ditur nga kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, i cili vlerësoi se gjatë takimeve ishte arritur mirëkuptim për disa çështje dhe se procesi diplomatik do të vijojë me raunde të tjera negociatash.
Në deklaratat e transmetuara nga televizioni shtetëror rus, Medinsky konfirmoi dakordësinë për shkëmbimin e të burgosurve, i cili do të ishte pjesë e një serie shkëmbimesh të realizuara mes dy vendeve që prej nisjes së luftës. Megjithatë, negociatori rus u tregua më skeptik për përfshirjen e vendeve europiane në proces. Ai tha se nuk ishte e qartë se cilat çështje mund të diskutoheshin mes Moskës dhe Bashkimit Europian, duke pretenduar se pala europiane nuk kishte paraqitur propozime konkrete.
Nga ana tjetër, negociatori amerikan Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, i cilësoi diskutimet në Abu Dhabi si shumë të rëndësishme, pavarësisht vështirësive dhe faktit se palët nuk kishin zhvilluar takime të tilla prej afro tetë muajsh. Kushner bëri të ditur se ai dhe i dërguari amerikan Steve Witkoff do të udhëtojnë drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Qëllimi i takimit është diskutimi i çështjeve të trajtuara në Abu Dhabi dhe përpjekja për të arritur përparim në pikat ku palët kanë ende mosmarrëveshje.
Pas takimit me Putinin, përfaqësuesit amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të zhvillojnë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian. Kushner tha se Uashingtoni synon të avancojë edhe çështjen humanitare, duke shpresuar që takimi me presidentin rus të mundësojë përmbylljen e një marrëveshjeje për lirimin e një numri të madh të burgosurish. Një tjetër objektiv i diplomacisë amerikane është zgjerimi i formatit të negociatave, përmes përfshirjes më të drejtpërdrejtë të vendeve europiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



