Izraeli synon të ndërtojë në zonën E1/ Danimarka dhe vendet evropiane kërkojnë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit

Botë | 19 minuta më parë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po përgatitet të mbajë një mbledhje urgjente javën e ardhshme lidhur me planet e Izraelit për të ndërtuar në zonën E1 të Bregut Perëndimor, në lindje të Jerusalemit.

Iniciativa po udhëhiqet nga një sërë vendesh evropiane, në krye me Danimarkën, e cila është anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Kjo lëvizje është një përpjekje për të parandaluar procesin e tenderimit nga ana e Izraelit. Autoriteti i Tokave i Izraelit ka caktuar 19 nëntorin si afatin e fundit për hapjen e ofertave të tenderit për ndërtimin e 1,234 njësive të banimit.

Ndërkaq, Izraeli po bashkëpunon me aleatët e tij të ngushtë në Këshillin e Sigurimit, SHBA-në dhe Greqinë, për të minuar dhe bllokuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje.

“Përderisa Lindja e Mesme është përfshirë nga flakët dhe regjimi i Iranit vazhdon të kërcënojë paqen globale, vendet evropiane zgjedhin të thërrasin Këshillin e Sigurimit në një mbledhje urgjente thjesht sepse Izraeli po ndërton në vendin e tij. Kjo është një turp moral dhe një provë se sa larg realitetit janë shkëputur këto shtete. E drejta jonë për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin tonë është e padiskutueshme. Ne nuk do të pranojmë diktate apo leksione morali nga ata që zgjedhin të mbyllin sytë përballë terrorizmit të vërtetë”, deklaroi Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.

Projekti E1 parashikon ndërtimin e mijëra njësive të banimit si zgjerim i qytetit-vendbanim Ma’ale Adumim, mes kufijve ekzistues perëndimorë të tij dhe Jerusalemit Lindor.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme