Sot takimi Putin-Witkoff-Kushner në Moskë, pas negociatave pa marrëveshje në Abu Dhabi

Bisedimet trepalëshe për luftën në Ukrainë, të zhvilluara për dy ditë në Abu Dhabi, kanë përfunduar pa një marrëveshje të gjerë për paqen. I vetmi rezultat konkret i arritur nga palët është një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, ndërsa sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë. Distancat mes palëve mbeten të konsiderueshme, megjithëse edhe pala ukrainase ka folur për një klimë pozitive gjatë negociatave.
Pas përfundimit të takimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Më pas, ata do të shkojnë në Dublin për të diskutuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ndërkohë, sulmet ushtarake nuk janë ndërprerë. Kievi mbetet sërish në shënjestër të sulmeve ruse, ndërsa në Shën Petersburg të Rusisë ka shpërthyer një automjet ku ndodhej një kolonel. Si pasojë, ushtaraku ka humbur jetën, ndërsa një familjar i tij ka mbetur i plagosur.
Paralelisht me zhvillimet diplomatike, në Irlandë është planifikuar edhe një samit i liderëve evropianë, ku pritet të diskutohet situata në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje. Kryeministri estonez Kristen Michal ka deklaruar për agjencinë AFP se Evropa nuk ka nevojë për një të dërguar të posaçëm për bisedimet në Dublin, duke përmendur si përfaqësues të mundshëm presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.
Ndërkohë, edhe Italia ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti, ka nënshkruar dekretin ndërministror për paketën e 13-të të ndihmës për Kievin, pas verifikimit të përputhshmërisë me orientimet parlamentare dhe mundësitë financiare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



