Ndryshon ligji “Për ndihmën shtetërore”, nën lupën e Autoritetit të Konkurrencës edhe subvencionet në bujqësi e peshkim

Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektligj me ndryshime të rëndësishme në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, përmes të cilit parashikohet shkrirja e Komisionit aktual të Ndihmës Shtetërore dhe kalimi i plotë i kompetencave të kontrollit e vendimmarrjes pranë Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas draftit të përcjellë për miratim në Kuvend, ky transformim institucional synon të garantojë një kontroll të pavarur dhe të paanshëm mbi fondet publike që jepen si mbështetje për ekonominë, në përputhje me standardet dhe legjislacionin (acquis) e Bashkimit Evropian.
Kontroll i plotë edhe në bujqësi, peshkim dhe akuakulturë
Një nga risitë kryesore të projektligjit është zgjerimi i fushës së zbatimit. Ligji i rishikuar përcakton se ai do të zbatohet “për veprimtaritë që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, përfshirë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës”.
Për këtë qëllim, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) detyrohen të vënë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës të gjitha bazat e të dhënave dhe regjistrat për skemat ekzistuese, të cilat do të rishikohen gradualisht për t’u përshtatur me rregullat e reja.
Pavarësia e vendimmarrjes dhe kthimi i ndihmës së paligjshme
Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve, Komisioni i Konkurrencës bëhet organi vendimmarrës që autorizon skemat e ndihmës shtetërore, vlerëson planet e ristrukturimit për ndërmarrjet në vështirësi dhe “urdhëron pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës së paligjshme ose të papajtueshme”.
Projektligji vendos garanci të forta për pavarësinë e këtij institucioni, duke përcaktuar se Autoriteti i Konkurrencës dhe struktura e posaçme pranë tij “nuk kërkojnë ose marrin udhëzime nga Këshilli i Ministrave, ministritë, dhënësit e ndihmës apo nga çdo subjekt tjetër publik ose privat në lidhje me shqyrtimin, hetimin, monitorimin dhe vendimmarrjen”. Gjithashtu, vendosen rregulla strikte për shmangien e konfliktit të interesit për anëtarët e komisionit.
Detyrimi për raportim dhe sanksionet administrative
Të gjitha institucionet publike që japin ndihmë, por edhe ndërmarrjet përfituese, detyrohen të bashkëpunojnë dhe të dorëzojnë çdo dokumentacion të kërkuar brenda afateve të caktuara. Mosdhënia e informacionit, dhënia e të dhënave të rreme apo moszbatimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës nga ndërmarrjet “përbëjnë shkelje të lehtë administrative dhe ndëshkohet me gjobë”, sipas legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës. Ndërkohë, për zyrtarët publikë që shkelin ligjin do të zbatohen masat disiplinore dhe administrative sipas legjislacionit për financat publike.
Çdo vit, brenda datës 30 qershor, Autoriteti i Konkurrencës do të paraqesë në Kuvend raportin vjetor mbi zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore.
Afatet e kalimit të kompetencave
Sipas dispozitave kalimtare, “pas datës 1 korrik 2027, kompetencat, të drejtat dhe detyrimet e Komisionit të Ndihmës Shtetërore i kalojnë Komisionit të Konkurrencës”, moment kur komisioni aktual pushon së funksionuari.
Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria e Ekonomisë dhe Autoriteti i Konkurrencës do të kryejnë inventarizimin dhe dorëzimin e arkivave, regjistrave dhe sistemeve elektronike. Projektligji saktëson se transferimi i funksioneve “nuk krijon të drejtë automatike për transferimin e personelit pranë Autoritetit të Konkurrencës”, por plotësimi i vendeve të punës do të bëhet sipas procedurave të ligjit për nëpunësin civil.
Ligji parashikon gjithashtu se nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, aktet e BE-së në këtë fushë do të kenë zbatim të drejtpërdrejtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




