Zelensky kërkon bisedime paqeje katërpalëshe me SHBA-në, Evropën dhe Rusinë

Europë | 4 minuta më parë

Duke iu drejtuar Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, presidenti i Ukrainës bëri të ditur se Kievi është gati të ulet që nesër në tryezën e negociatave me Evropën, SHBA-në dhe Rusinë, ndërsa aleatët e tij synojnë që takimi të zhvillohet përpara Krishtlindjes.

“Përpara negociatave, – u shpreh Zelensky- Ukraina, Evropa dhe SHBA-ja duhet të dakordësojnë një agjendë të përbashkët.”

Ai nënvizoi se Evropa duhet të jetë pjesë e bisedimeve, pasi në tryezë do të diskutohet edhe e ardhmja e sigurisë evropiane, ndërsa theksoi se Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të negociojnë si një palë e vetme përballë Rusisë.

Zelensky këmbënguli se çdo marrëveshje duhet të garantojë siguri afatgjatë për vendin e tij dhe gjithë hapësirën euroatlantike, në mënyrë që Moska të mos e përdorë paqen si mjet për t’u përgatitur për një sulm të ri. Lidhur me garancitë e sigurisë të paralajmëruara nga pala amerikane, Zelensky deklaroi se anëtarësimi i plotë i Ukrainës në Aleancë do të ofronte garanci sigurie më efektive dhe më të besueshme sesa çdo marrëveshje e bazuara në Nenin 5 të Aleancës për mbrojtjen e ndërsjellë.

“A nuk do të ishte më efektive që thjesht të anëtarësohej Ukraina në NATO? A nuk do të ishte kjo më mirë për të gjithë ne?”- deklaroi Zelensky, duke nënvizuar vendi i tij do ta bënte më të fortë vetë Aleancën.

Presidenti ukrainas duket se iu përgjigj kështu edhe Të dërguarit të presidentit amerikan, Jared Kushner, i cili përmes një postimi i X deklaroi se Donald Trump është i gatshëm të shqytrojë garanci sigurie për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, për mbrojtjen e ndërsjellë nëse bindet se reduktohet rreziku i një pushtimi tjetër rus.

Kushner konfirmoi se SHBA ka siguruar edhe gatishmërinë e Rusisë për të shqyrtuar një mekanizëm të tillë garancish për Ukrainën, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm, që sipas tij mund të jetë tregues se Moska është serioze për arritjen e paqes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme