Kumbaro: Rritet në 25 mijë lekë bursa mbështetje për studentët, përfshihet edhe cikli Master nga janari 2027

Arsim | 10 minuta më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar se bursa mujore për studentët që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë, duke nisur nga janari i vitit 2027.

Lajmi u bë publik nga vetë ministrja përmes një reagimi në rrjetet sociale, pasi një student i kishte shprehur shqetësimin për rritjen e kostove të jetesës dhe të qirave në Tiranë.

Kumbaro sqaroi se rritja e bursës synon të ndihmojë studentët të përballojnë më lehtë shpenzimet e strehimit dhe kostot e përditshme.

Sipas saj, nga kjo skemë do të përfitojnë rreth 5 900 studentë nga familje me vështirësi social-ekonomike.

“Duke filluar nga janari, kjo bursë do të jetë 25.000 lekë të reja në muaj ose 250.000 lekë të vjetra. Që do të thotë, do të të ngelet mjaftueshëm mbasi të kesh paguar qiranë dhe një shumë tjetër për shpenzime, kostot e jetesës, sepse ke të drejtë kur thua që në Tiranë kostoja e jetesës është rritur”, u shpreh ministrja.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se, për herë të parë, mbështetja financiare do të vijojë edhe gjatë studimeve Master, ndërsa deri më tani ofrohej vetëm për studentët e ciklit Bachelor.

Kumbaro theksoi se këto janë dy ndryshime të rëndësishme të parashikuara në buxhetin e vitit 2027, të cilat synojnë të lehtësojnë barrën financiare të studentëve dhe të mbështesin vazhdimësinë e studimeve të tyre në universitetet publike.

“Jo vetëm për ty, por edhe për 5 900 studentë, të cilët vijnë nga familje në nevojë dhe vështirësi ekonomike, bursa do të rritet dhe jo vetëm kaq, por do të jetë e njëjta bursë që do të vijojë edhe në Master”, deklaroi Kumbaro.

Në reagimin e saj, ministrja u shpreh se rritja e bursës dhe zgjerimi i saj edhe për studimet Master janë pjesë e prioriteteve sociale të qeverisë për vitin 2027, me fokus mbështetjen e studentëve që përballen me vështirësi ekonomike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme