Zbulohen tunele sekrete nën xhaminë Hagia Sophia në Stamboll, 1500 vite histori dalin në dritë

Pas shekujsh të tërë një rrjet i gjerë tunelesh dhe hapësirash nëntokësore është zbuluar nën monumentin historik të Hagia Sophia-s në Stamboll. Zbulimi i rëndësishëm arkeologjik po nxjerr në pah një botë të panjohur nën një prej ndërtesave më ikonike të trashëgimisë botërore.
Rrjeti nëntokësor përfshin tunele, kanale uji, dhoma të harkuara dhe struktura varrimi, disa prej të cilave besohet se i përkasin periudhave më të hershme se vetë ndërtesa aktuale, e përfunduar në vitin 537 pas Krishtit.
Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, zbulimet u bënë gjatë punimeve të konservimit dhe pastrimit, të nisura në fillim të vitit 2025. Deri më tani janë hequr rreth 3 mijë ton mbetje dhe janë pastruar 420 metra tunele.
Në total, janë identifikuar gjashtë dhoma nëntokësore të lidhura me nëntë tunele. Njëri prej tyre shtrihet për rreth 180 metra dhe besohet se mund të lidhet me një rrugë romake të shekullit të pestë.
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, bëri të ditur se këto struktura kanë shërbyer ndër shekuj për shpërndarjen e ujit dhe largimin e ujërave të shiut, duke ofruar të dhëna të reja mbi infrastrukturën e lashtë të Kostandinopojës.
Ekspertët vlerësojnë se zbulimet mund të ndihmojnë në kuptimin më të plotë të historisë dhe arritjeve inxhinierike të qytetit të lashtë.
Autoritetet turke synojnë që disa prej hapësirave nëntokësore të përshtatshme të bëhen të vizitueshme për publikun.
Hagia Sophia, e ndërtuar me urdhër të perandorit Justinian I, ka shërbyer ndër shekuj si kishë, xhami dhe muze, ndërsa që prej vitit 2020 funksionon sërish si xhami. Zbulimi i fundit pritet të hapë një kapitull të ri në njohjen e historisë së saj gati 1,500-vjeçare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








