Përshkallëzohet protesta në Tiranë, policia ndërhyn në Sheshin “Skënderbej” pas sulmeve me molotov ndaj institucioneve

Aktualitet | 52 minuta më parë

Protesta kombëtare e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë u shoqërua me tensione dhe incidente në disa zona të kryeqytetit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Grupime protestuesish po përplasen me efektivët në afërsi të disa institucioneve shtetërore, ndërsa u raportuan dëmtime të pronës publike dhe përdorim i mjeteve piroteknike.

Në disa raste, protestuesit hodhën gurë dhe molotovë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës.

Tensione u regjistruan pranë Ministrisë së Mjedisit, ku një grup protestuesish arritën të dëmtonin hyrjen e godinës dhe të hidhnin mjete ndezëse në afërsi të saj.

Pas incidentit, forcat e Policisë ndërhynë duke përdorur ujë me presion për të larguar protestuesit nga zona.

Ngjarje të ngjashme u raportuan edhe pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku u dëmtua dera hyrëse e institucionit gjatë lëvizjes së protestuesve. Po ashtu, sulme dhe dëmtime u raportuan edhe ndaj selisë së Partisë Socialiste.

Në Sheshin Skënderbej, grupe protestuesish të pajisur me mburoja metalike dhe shkopinj u përplasën me forcat e rendit të vendosura në terren. Sipas pamjeve nga vendngjarja, ndaj efektivëve u hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa Policia intensifikoi masat për rivendosjen e rendit.

Gjatë zhvillimit të protestës, Policia nisi edhe shoqërimin e disa protestuesve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë, tensionet vijuan për disa orë, ndërsa autoritetet mbetën të angazhuara për kontrollin e situatës dhe garantimin e sigurisë publike.

Protesta e 28 Nëntorit u zhvillua në një klimë të tensionuar, me incidente të përsëritura dhe përplasje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit në disa pika të Tiranës.

16:00 Policia ndërhyn në Sheshin “Skënderbej”, protestuesit tentojnë t’i vënë flakën Teatrit Kombëtar

Situata në protestën e opozitës këtë 28 Nëntor është përshkallëzuar ndjeshëm në qendër të Tiranës, ku forcat e policisë kanë ndërhyrë në Sheshin “Skënderbej” duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Tensionet janë shoqëruar me përplasje të forta mes demonstruesve dhe efektivëve të rendit, ndërsa janë raportuar edhe disa të lënduar.

Pas marshimit nga sheshi drejt institucioneve kryesore, protestuesit kanë hedhur gurë, kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të forcave të policisë. Në kulmin e përplasjeve, një grup protestuesish ka tentuar t’i vërë flakën godinës së Teatrit Kombëtar, duke rritur më tej shqetësimin për sigurinë në zonë.

Policia ka ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar situatën, ndërsa një pjesë e protestuesve janë shpërndarë dhe janë zhvendosur drejt hyrjes së Rrugës së Durrësit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një qendër të kryeqytetit të mbuluar nga tymi, uji me presion dhe shpërthimet e mjeteve piroteknike.

Gjatë përplasjeve ka mbetur i lënduar edhe një efektiv policie, i cili është transportuar me ambulancë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Po ashtu, një protestues është dërguar në spital pasi është ndjerë keq gjatë tubimit.

Sipas bilancit paraprak të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale deri në orën 14:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për mjekim një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëra prej tyre shtetase e huaj, si dhe pesë protestues. Autoritetet bëjnë me dije se të gjithë të lënduarit janë të vetëdijshëm, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.

Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë dhënë ndihmën e parë në vendngjarje për tre protestues të tjerë të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e mirë.

 

Përditësime në vijim…

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme