Përshkallëzohet protesta, zjarr në hyrjen e Ministrisë së Mjedisit, ndërhyn policia

Protesta kombëtare e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë u shoqërua me tensione dhe incidente në disa zona të kryeqytetit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Grupime protestuesish po përplasen me efektivët në afërsi të disa institucioneve shtetërore, ndërsa u raportuan dëmtime të pronës publike dhe përdorim i mjeteve piroteknike.
Në disa raste, protestuesit hodhën gurë dhe molotovë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës.
Tensione u regjistruan pranë Ministrisë së Mjedisit, ku një grup protestuesish arritën të dëmtonin hyrjen e godinës dhe të hidhnin mjete ndezëse në afërsi të saj.
Pas incidentit, forcat e Policisë ndërhynë duke përdorur ujë me presion për të larguar protestuesit nga zona.
Ngjarje të ngjashme u raportuan edhe pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku u dëmtua dera hyrëse e institucionit gjatë lëvizjes së protestuesve. Po ashtu, sulme dhe dëmtime u raportuan edhe ndaj selisë së Partisë Socialiste.
Në Sheshin Skënderbej, grupe protestuesish të pajisur me mburoja metalike dhe shkopinj u përplasën me forcat e rendit të vendosura në terren. Sipas pamjeve nga vendngjarja, ndaj efektivëve u hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa Policia intensifikoi masat për rivendosjen e rendit.
Gjatë zhvillimit të protestës, Policia nisi edhe shoqërimin e disa protestuesve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë, tensionet vijuan për disa orë, ndërsa autoritetet mbetën të angazhuara për kontrollin e situatës dhe garantimin e sigurisë publike.
Protesta e 28 Nëntorit u zhvillua në një klimë të tensionuar, me incidente të përsëritura dhe përplasje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit në disa pika të Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




