Kushtetuesja rrëzon Belerin: Burgimi, masë proporcionale. Nuk u cenua prezumimi i pafajësisë

Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten (21 mars) të rrëzojë kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për të shfuqizuar arrestimin e tij disamujor me burg.
Në fund të shtatorit 2023, avokatët e Belerit kërkuan që vendimet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Lartë, të shfuqizohen derisa të jepet gjykimi ndaj tij për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
“Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës ‘Arresti në burg’. Për këtë arsye, ai ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, për rrjedhojë në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar,” njoftoi Kushtetuesja.
Sipas Belerit, masa e sigurimit personal e vendosur nga gjykatat nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, interesin publik që kërkohet të mbrohet dhe gjendjen që e ka shkaktuar, pasi vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet.
Beleri ka pretenduar edhe cenimin e parimin të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë të akuzuar për kryerjen e të njëjtës vepër penale.
“Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.
Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal ‘Arresti në burg’, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qenë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.
· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, për sa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri,” argumentoi Gjykata Kushtetuese.
Arrestimi i Belerit me kërkesë të Prokurorisë, hetimet nga SPAK
SPAK regjistroi procedim penal për Fredi Belerin, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nën akuzën e blerjes së votave. Dosja e Belerit u përcoll nga prokuroria e Vlorës, që drejtoi hetimet deri në arrestimin e Belerit, drejt Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Beleri u arrestua në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
Ai u arrestua më 12 maj, 14 minuta pas mesnatë pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




