Vendimet/ Kumbaro: Task-Forcë për kontrollin e subjekteve, përmirësojmë trajtimin e ujërave

Aktualitet | 3 vite më parë

Qeveria do të krijojë një task-force të dedikuar për inspektim dhe kontroll të subjekteve private/publike me qëllim përmirësimin e trajtimit të ujërave. Vendimi u komunikua nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

“Dy vendime të cilat kanë të bëjnë me turizmin, mjedisin. E para, nëpërmjet një akti normativ qeveria ka vendosur të krijojë një task-force të dedikuar për inspektimin dhe kontrollin dhe shëndetësimin e të gjitha subjekteve në zonat më turistike për të përmirësuar mënyrën e trajtimit të ujërave të ndotur që shkaktohen në ujërat larës, në det, lumenj, liqen.

Përmirësimi edhe sipas Agjencisë europiane të mjedisit krahasuar me vitet e shkuara është shumë i dukshëm nga shifra 45%  vetëm 5% të ujërave larës kanë problematika të thella, por ky është proces evolutiv.

Një pjesë e madhe e këtyre lëvizjeve turistike funksionojnë në strukturat e shërbimit përgjatë ujërave larës. Kjo është arsyeja përse për 2024 është punuar për përgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik dhe një task-force për këtë qëllim.

Një akt normativ për të bërë një kontroll të rreptë në të gjithë territorin e ujërave larës në bashkëpunim me të gjitha subjektet private që do duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur standartet që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave ndotës”, tha Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është rishikuar vendimi për rregullat dhe procedurat e aplikimit që ndjekin subjektet private/publike në vlerësimin e ndikimit në mjedis.

“Rishikim i një vendimi të këshillit të Ministrave që ka të bëjë me rregullat dhe procedurat e aplikimit që ndjekin subjektet private në vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Ka të bëjë me procesin e derregullimit. VNM-ja është një ndër procedurat që prek në masën 90% të gjitha subjektet private që zhvillojnë një aktivitet ekonomik, dhe të cilat në fillim të proceseve të tyre kanë dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis. Nga mbikëqyrja e këtij procesi, është një procedurë e ngarkuar ku ka më shumë dokumentacion nga sa është e nevojshme, dhe një pjesë e dokumenteve nuk do i kërkohen më subjektit privat, por do merren nga ekspertët e Ministrisë së  Turizmit, Agjencive Kombëtare të Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Shkurtojmë kohën e procedurës nga rreth 60 ditë në 25 ditë dhe nga 23 dokumente shkojmë vetëm në 5 prej tyre”, tha Kumbaro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme