Arrestohet në Spanjë Ismail Zeneli/ Donte të vriste vëllezërit Nela. Ishte pjesë i grupit Mata-Breçani

Policia spanjolle ka vendosur në pranga shqiptarin e shumëkërkuar Ismail Zeneli. Arrestimi i tij vjen pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK, i shpallur në kërkim si pjesë e grupit ku u arrestua dhe Erzen Breçani, ish -zv.drejtor i policisë së Tiranës.
Zeneli i cili ndodhej jashtë Shqipërisë, është personi që sipas dosjes hetimore të SPAK, donte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi dyshonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi.
Arrestimin e tij e ka bërë të ditur edhe Policia e Shtetit, sipas së cilës po nisin edhe procedurat për ekstradimin e Zenelit.
“Në kuadër të operacionit “Madridi”, u lokalizua dhe u arrestua në Madrid, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 49-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për vepra penale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të grupit kriminal. Në kuadër të këtij operacioni u lokalizua dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi I. Z. alias L. S., 49 vjeç ” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ndërkaq, për 49-vjeçarin Ismail Zeneli, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në muajin e kaluar caktoi arrest me burg ndaj tij, pasi ai akuzohet për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
“Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në nëntor të vitit 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e shtetasit I. Z. alias L. S., në vendin tonë”, theksohet më tej në njoftimin e Policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




