Situata në porte, në Durrës rinisin lundrimet. Në Vlorë mbeten të pezulluara

Për shkak të erës së fortë, deri në 30 m/s dhe dallgëve me forcë 7-8 ballë e lartësi deri në 3.5 metra në det të hapur, në Portin e Vlorës, për të tretën ditë nuk lejohen lundrimet. As të shtunën nuk do të ketë lundrime ndërkombëtare.
Anija që bën linjën Vlorë- Brindizi e po kështu mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, nuk do të lejohen të dalin në det të hapur.
Sipas njoftimit të kapitanerisë së këtij porti, përmirësim i kushteve atmosferike pritet pas orës 06.00-të të së dielës. Vetëm pas kësaj orë do të rifillojë aktiviteti normal i mjeteve lundruese dhe portit.
Ndërsa në Durrës këtë mëngjes ka mbërritur një traget nga Ankona, I cili ishte nisur mbrëmjen e së premtes nga Italia. Burime nga kapitaneria e portit bëjnë të ditur se lundrimet u pezulluan ditën e premte, por sot situata është e normalizuar.
Gjatë ditës së sotme do të jepet leja për daljes në det edhe për mjetet lundruese të tonazhit të ulet siç janë peshkarexhat. Gjithashtu, edhe linja e lundrimeve midis Durrësit dhe Barit do të jetë funksionale mbrëmjen e sotme.
Pasagjerët që nuk kanë udhëtuar dot të premten drejt Italisë, do të udhëtojnë sot, ndërsa tragetet do të kenë dyfishin e pasagjereve, një shifër që nuk është problem në këtë periudhë të vitit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




