Gjykata e Fierit lë në burg të dyshuarin për vrasjen e biznesmenit Kastrati

Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Fier ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Elmir Tufën, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Shkëlzen Kastrati në 1 shkurt të vitit 2021.
31-vjeçari mbërriti të dielën (5 nëntor) në Gjykatën e Fierit nën masa të forta sigurie.
Ai u përball me gjyqtaren e çështjes, Miranda Nakaj, ndërkohë që prokuror është Dorian Teliti.
Gjatë seancës, personi nën hetim dhe avokati i tij pretenduan se ditën e ngjarjes kanë qenë në Gjykatën e Krujës në një gjykim për zëvendësim mase sigurie të kushëririt të të pandehurit. Pala mbrojtëse pretendoi se ka pamje filmike për këtë fakt dhe përsëriti mospërfshirjen në vrasjen e biznesmenit.
Ndërkohë mbi Tufën rëndojnë veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”.
Të dyshuar për këtë vrasje janë edhe Albert Zaja 37 vjeç, Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç. Prej tyre është arrestuar dhe dënuar me 21 vite burg vetëm Albert Zaja.
Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, paraditen e 1 shkurtit 2021 në lagjen Sheq në Fier, teksa ishte duke lëvizur me makinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



