Ishin bllokuar për shkak të motit të keq, policia u vjen në ndihmë 23 turistëve në Përmet

Aktualitet | 3 vite më parë

Punonjësit e Policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile në Përmet iu kanë shkuar në ndihmë, 23 turistëve gjermanë, polakë dhe francezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar te “Banjat e Bënjës”, për shkak të motit të keq.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile, mesnatën e djeshme, kanë marrë njoftim se gjatë eksplorimit të natyrës, me këmbë dhe me automjete, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në vendparkimin e zonës së quajtur “Banjat e Bënjës”, në Përmet, pasi automjetet e tyre nuk qarkullonin dot për shkak se rruga ishte prishur si pasojë e daljes së lumit, nga moti i keq.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se, në bashkëpunim me trupat e Emergjencave Civile, bënë të mundur edhe nxjerrjen e automjeteve dhe dorëzimin e tyre te turistët, të cilët mesditën e sotme kanë vijuar lëvizjen për në destinacionet e radhës.

“Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, turistët janë nxjerrë nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut. Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qytetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore”, raportohet më tej në njoftim.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e Emergjencave Civile, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë, duke iu shpëtuar jetën dhe duke iu dorëzuar automjetet e tyre.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme