Guida Studentore 2023, Veliaj: Abone falas për studentët! Karta e Studentit mbulon gjysmën e tarifës së konviktit

Aktualitet | 3 vite më parë

Të gjithë studentët që do të studiojnë në Tiranë, do të pajisen me një Guidë, e cila do t’u shërbejë për të njohur më mirë kryeqytetin dhe për t’u integruar më lehtë në jetën e tyre të re studentore. Guida Studentore 2023 u prezantua në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një event mirë se ardhjeje, jo vetëm për studentët e rinj, që vijnë për herë të parë në Tiranë, por edhe për studentët që tashmë jetojnë dhe studiojnë në kryeqytet.

Veliaj zbuloi se edhe këtë vit Karta e Studentit do të zgjerojë gamën e shërbimeve për studentët, por në të njëjtën kohë, do të mbulojë edhe gjysmën e shpenzimeve të akomodimit të tyre në konvikt dhe po ashtu abonenë falas, si për ata që studiojnë në universitetet publike, edhe për ata të rinj që zgjedhin institucionet private të arsimit të lartë.

“Karta e Studentit ofron sot, edhe për studentët e universiteteve jopublike, rreth 1600 shërbime, të cilat duam që të vazhdojnë të shtohen. Çdo kursim që mund të bëjmë me kartën është ideale, por kursimi më i madh është fakti që abonoja e autobusit është falas për të gjithë studentët e qytetit të Tiranës, që pajisen me Kartën e Studentit dhe në këmbim marrin udhëtimin falas për të gjithë kohën që janë studentë. Kjo është diçka që do vazhdojmë ta ofrojmë edhe këtë vit. Po ashtu, do vazhdojmë të paguajmë 50% të kostos së konviktit që drejton Bashkia e Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Më tej, ai tha se Tirana ka ndryshuar shumë në 8 vitet e fundit në mënyrën se si i trajton studentët që ndjekin universitetin në kryeqytet.

“Guida Studentore 2023” synon të ofrojë informacione të rëndësishme, këshilla praktike dhe udhëzime për jetën studentore në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme