Shqipëria dënon sulmin terrorist në Ankara

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur solidaritet me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave pas sulmit të sotëm pranë parlamentit në Ankara, ku u plagosën dy policë dhe u vranë dy sulmuesit.

Kreu i shtetit shprehet se akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne.

“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke.

Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë,” njoftoi president Begaj.

Edhe kryeministri Edi Rama e dënoi ngjarjen e së dielës në Ankara.

“Sulmi terrorist në Stamboll është një akt i shëmtuar burracakërie, të cilin Shqipëria e dënon me forcë. Kjo duhet të bëjë shumë në Evropë të kuptojnë më mirë dhe të përkrahin Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit,” u shpreh kryeministri Rama në platformën “X”.

Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi në të njëjtën linjë.

“Shqipëria dënon me forcë sulmin terrorist në Ankara. Ne mbetemi në solidaritet të plotë me Turqinë dhe kundërshtojmë çdo formë dhune terroriste.

Në mendojmë për të plagosurit dhe u urojmë atyre shërim të shpejtë,” njoftoi diplomacia shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme