Lufta në Gaza-SHBA refuzon kërkesën e Izraelit për helikopterë sulmues Apache

Botë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e Izraeli për të blerë helikopterë të rinj sulmues Apache. Tel Avivi e bëri kërkesën javët e fundit dhe e ngriti atë përsëri gjatë vizitës të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin në Izrael javën e kaluar, raportoi media izraelite Yedioth Ahronoth.

“Helikopterët janë të nevojshëm për të përmirësuar operacionet ajrore ushtarake”, por deri më tani Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar- shtoi kjo media. Megjithatë, Uashingtoni ka dërguar 230 avionë mallrash dhe 20 anije të ngarkuara me armë dhe pajisje ushtarake në Izrael që nga shpërthimi i luftës në Gaza.

Ndërsa lufta në Gaza ka hyrë në javën e 12, ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, tha në një fjalim para ligjvënësve këtë të martë se vendi i tij është në një luftë me shumë fronte. “Ne jemi në një luftë me shumë fronte dhe po sulmohemi nga shtatë anë: Gaza, Libani, Siria, Judea dhe Samaria (Bregu Perëndimor), Iraku, Jemeni dhe Irani”, – u shpreh ai.  Dhe sipas tij, ata tashmë janë përgjigjur dhe kanë marrë masa.

Komentet e tij vijnë pasi si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një lagje të Damaskut të hënën humbi jetën ish këshilltar i Gardës Revolucionare të Iranit në Siri, Sayyed Razi Mousavi. Ndërkohë, bombardimet izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, i kanë marrë jetën mbi 21 mijë palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur gati 55 mijë të tjerë.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut deklaroi të martën se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për bombardimet e vazhdueshme në Gazan qendrore nga forcat izraelite.

Të gjitha rrugët që lidhin tre kampet e refugjatëve janë shkatërruar, duke bllokuar arritjen e ndihmave tek ata në nevojë, ndërkohë strehimoret dhe spitalet që ende funksionojnë minimalisht, janë jashtëzakonisht të mbipopulluara dhe me burime të pamjaftueshme, u tha nga njoftimin e organizatës.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme