Netanjahu: Tre kushtet për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve në Gaza

“Hamasi duhet të shkatërrohet, Gaza duhet të çmilitarizohet dhe shoqëria palestineze duhet të çradikalizohet. Këto janë tre kushtet për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve në Gaza.
Në një opinion për “The Wall Street Journal”, Netanjahu tha se sapo të plotësohen këto tri kërkesa, Gaza mund të rindërtohet dhe perspektivat për një paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme do të bëhen realitet.
Netanjahu theksoi se udhëheqësit e Hamasit synojnë të përsërisin sulmin e 7 tetorit.
“Kjo është arsyeja pse shkatërrimi i tyre është e vetmja përgjigje për të parandaluar përsëritjen e mizorive tmerrshme”– shkruan Netanjahu.
Kryeministri izraelit u angazhua se do të vazhdojë të veprojë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar për shkatërrimin e Hamasit, por vuri në dukje vështirësitë pasi pretendon se Hamasi shpesh përdor civilët palestinezë si mburoja njerëzore.
“Fajësimi i padrejtë i Izraelit për këto viktima do të inkurajojë Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste në mbarë botën që të përdorin mburoja njerëzore” thekson ai.
Në lidhje me çmilitarizimin, Netanjahu tha se Izraelit do t’i duhej të mbante përgjegjësinë kryesore të sigurisë mbi Gazën dhe hodhi poshtë mundësinë që Autoriteti Palestinez të mbikëqyrte territorin.
Ndërsa “për të ç’radikalizuar Gazën”, Netanyahu argumentoi se ndryshimi do të duhej të vinte nga lidershipi si dhe nga ajo që nxënësit mësojnë në shkolla. Opinioni i tij u publikua ndërsa thirrjet për një armëpushim po vijnë nga e gjithë bota.
Zëdhënësi i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Seif Magango , ka thënë se OKB-ja është “shumë e shqetësuar” për “bombardimin e vazhdueshëm” të Gazës qendrore nga forcat izraelite.
Ai tha se forcat izraelite duhet të marrin të gjitha masat për të mbrojtur civilët dhe se sulmet duhet t’u përmbahen parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




