Veto e SHBA ndaj rezolutës së OKB-së për armëpushimin, Rusia: Bashkëpunëtore në masakrat e Izraelit

Rusia sulmoi Shtetet e Bashkuara pas vetos së saj të premten ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Rusia e akuzoi Uashingtonin si “bashkëpunëtor në masakrën brutale të Izraelit”.
“Kolegët tanë amerikanë kanë dënuar me vdekje mijëra, nëse jo dhjetëra mijëra, më shumë civilë në Palestinë dhe Izrael, duke përfshirë gra dhe fëmijë, së bashku me punëtorët e OKB-së që po përpiqen t’i ndihmojnë ata,” tha Zëvendës Përfaqësuesi i Parë i Përhershëm rus në OKB, Dmitry Polyansky.
“Dikush mund të thotë shumë fjalë të bukura, por boshe për demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen, sigurinë, disa rregulla dhe rend, por sot, ne mësuam vlerën e vërtetë të këtyre fjalëve pasi dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së preferuan të mbeten bashkëfajtorë në brutalitetin e Izraelit”, tha ai duke iu referuar SHBA Britanisë së Madhe.
Rusia ishte në mesin e 13 vendeve që votuan në favor të projekt-rezolutës për Gazën, e cila kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar, lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve si dhe akses humanitar.
Votimi i së premtes pasoi presionin ndërkombëtar në rritje për përfundimin e luftimeve në Gaza dhe më shumë ndihmë për enklavën, ku OKB-ja ka thënë se sistemi i mbështetjes humanitare është në prag të kolapsit .
Pas votimit, Shtetet e Bashkuara thanë se rezoluta ishte “larg nga realiteti” dhe “thjesht do ta linte Hamasin në vend, në gjendje të rigrupohej dhe të përsëriste sulmet që kreu kundër Izraelit më 7 tetor”./ CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




