Ekuador kap një nëndetëse me pesë tonë drogë në ishujt Galapagos

Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë tonë drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë
Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmë-nëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.
Ekuadori, që gjendet mes dy prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë – Kolumbisë e Perusë, ka sekuestruar këtë vit 189 tonë drogë. Rekord kishte vendosur në vitin 2021, kur sekuestroi një total prej 210 tonëve.
Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve. Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.
Autoritetet thanë se kur njerëzit në bord pikasën ndjekjen e rojës bregdetare hodhën në det nëntë arkat me materiale, ku më pas u gjetën armatimet. Presidenti i ri i vendit Daniel Noboa, i zgjedhur disa ditë më parë, ka si sfidë kryesore bandat e lidhura me kartelet meksikane e kolumbiane të trafikut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




