Netanjahu refuzon të marrë përgjegjësinë për dështimin në sulmet e 7 tetorit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka refuzuar që të marrë përgjegjësinë për dështimin e vendit të tij në parandalimin e sulmit të 7 tetorit të Hamasit.
Duke folur në një intervistë për CNN, Netanjahu nuk ka pranuar të përgjigjet direkt nëse ai mban përgjegjësi për atë që i ndodhi Izraelit më 7 tetor.
Ai u shpreh se pyetjet kaq të vështira do të marrin përgjigje pas luftës.
“Dhe ne do t’u përgjigjemi të gjitha këtyre pyetjeve. Tani për tani, unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të bashkojmë vendin për një qëllim; për të arritur fitoren. Le të fokusohemi te fitorja – kjo është përgjegjësia ime tani”, theksoi Netanjahu.
Kryeministri izraelit ka qenë nën presion për dështimin në parandalimin e sulmit vdekjeprurës në historinë e Izraelit, ku Hamasi nisi një sulm brutal ndaj Izraelit më 7 tetor, me njerëz të armatosur që vranë më shumë se 1200 njerëz dhe morën peng më shumë se 200 njerëz.
Ndërkaq, në një protestë të zhvilluar këtë fundjavë familjet e pengjeve i kërkuan Netanjahut dhe qeverisë së tij që të bëjnë më shumë për të siguruar lirimin e tyre.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi gjatë gjithë kohës për të liruar pengjet”, tha Netanjahu.
Sipas tij, Izraeli “po bën gjithçka që mundet” për të liruar më shumë se 200 pengjet e kapura nga Hamasi.
“Ky është një nga dy qëllimet tona të luftës. Njëra është të shkatërrojmë Hamasin dhe e dyta është të kthejmë pengjet tanë”, tha ai.
Netanjahu shtoi se “e gjithë bota duhet të bashkohet me ne” në përpjekjen për të liruar pengjet, duke nënvizuar se i vetmi armëpushim që mund të merret në konsideratë “është ai në të cilin ne do t’i lirojmë pengjet tona”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




