Skandali i korrupsionit në Portugali, Kryeministri Antonio Costa jep dorëheqjen, vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kryeministri portugez Antonio Costa njoftoi dorëheqjen pasi u përfshi në një hetim korrupsioni në dhënien e kontratave të lidhura me energjinë elektrike. Sipas një deklarate nga prokurorët publik, hetimi që përfshin Costa dhe të tjerët mbulon “keqpërdorimin e fondeve, korrupsionin aktiv dhe pasiv të figurave politike”.
Costa gjithashtu do të hetohet në mënyrë të pavarur për dyshimet se ka ndërhyrë personalisht për të përshpejtuar dhënien e licencave për kërkimin e litiumit dhe prodhimin e hidrogjenit, thuhet në deklaratë. “Detyrat e kryeministrit nuk janë në përputhje me asnjë dyshim për integritetin tim”, tha Costa në një konferencë për shtyp.
“Në këto rrethana unë i kam paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës”, shtoi ai. Kreu i shtetit të Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa pranoi dorëheqjen e Kostës dhe bëri thirrje për një takim të partive parlamentare të mërkurën me qëllim organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, sipas një deklarate nga presidenca portugeze.
Costa, nga Partia Socialiste e Portugalisë, ka qenë kryeministër që nga fundi i vitit 2015 dhe u rizgjodh në janar 2022. Popullariteti i tij ka rënë së fundmi pas një sërë skandalesh, duke përfshirë një të lidhur me linjën ajrore kombëtare TAP.
Skandali, i quajtur TAPgate, bëri që më shumë se një duzinë ministra dhe sekretarë të shtetit të largoheshin nga postet e tyre. Debati shpërtheu pothuajse një vit më parë pas zbulimit se një drejtori të TAP-it iu dha një paketë largimi prej 500,000 euro (534,000 dollarë). Megjithatë, pas largimit nga TAP, Alexandra Reis u emërua drejtuese e kompanisë shtetërore të kontrollit të trafikut ajror NAV.
Gazetar A. Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




