Nis gjyqi për vdekjen e George Floydit

Botë | 6 vite më parë

Të martën në Shtetet e Bashkuara ka nisur përzgjedhja e jurisë për gjyqin kundër një zyrtari të bardhë policor, i cili është akuzuar për vrasjen e një amerikani me ngjyrë vitin e kaluar.

Vdekja e George Floydit është incizuar dhe është publikuar nëpër shumë platforma. Ai ka vdekur pasi është arrestuar në rrugët e Mineapolisit më 25 maj të vitit të kaluar. Megjithatë, një vendim i apelit mund të ndalë procesin për disa javë, teksa shteti i Minesotas tenton të shtojë një akuzë shtesë për vrasje kundër 44-vjeçarit Derek Chauvin.

Gjyqi pritet të jetë ndër më të vëzhguarit në vitet e fundit. Floyd ka vdekur pasi Chauvin e ka shtypur atë me gju në qafë. Viktima ka pasur duart e lidhura dhe ka thënë se nuk merr dot frymë. Vdekja e Floydit ka nxitur protesta të mëdha nga mbështetësit e lëvizjes, Jetët e njerëzve me ngjyrë kanë vlerë, si në SHBA, ashtu edhe në shumë vende tjera të botës.

Chauvin – tani ish-zyrtar policor- përballet me vrasje të shkallës së dytë në një gjykatë në shtetin e Minesotas. Mirëpo Gjykata e Apelit në këtë shtet ka urdhëruar gjyqtarin që të rishqyrtojë kërkesën e prokurorëve për të shtuar edhe një akuzë të tretë, vrasje të shkallës së tretë.

Avokati kryesor i Chauvin ka thënë se do t’i kërkojë Gjykatës Supreme të Minesotas që të rishikojë vendimin e 5 marsit, proces që mund të marrë javë. Prokurorët janë duke kërkuar po ashtu nga Gjykata e Apelit që të ndalë gjyqin derisa të merret vendim për akuzën e tretë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjyqtari ka thënë se do të lejojë transmetimin përmes video-lidhjes. Tre zyrtarë tjerë policorë të përfshirë në arrestimit e Floydit përballen me akuza më të lehta dhe do të gjykohen ndaras. Të katër zyrtarët policorë kanë qenë pjesë e Departamentit Policor në Mineapolis.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme