Alarm për bomba në tre avionë në Evropë, devijohen avionët Dublin-Romë dhe Malpensa-Vjenë

Botë | 1 orë më parë

Një valë kërcënimesh për vendosjen e bombave ka vënë në alarm autoritetet e aviacionit në Evropë. Tre fluturime janë përfshirë në incidentet e raportuara gjatë orëve të fundit, duke detyruar devijimin e avionëve drejt aeroporteve të tjera. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një Airbus A320 që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, një avion të kompanisë Wizz Air që ishte nisur nga aeroporti Malpensa në Itali dhe një tjetër fluturim nga Helsinki drejt kryeqytetit italian.

Avioni i linjës Dublin-Romë u devijua drejt aeroportit francez të Évreux, në Normandi. Sipas të dhënave të raportuara, ai u kthye nga itinerari fillestar teksa ndodhej mbi zonën e Essonne, në jug të Parisit, përpara se të ndryshonte drejtimin dhe të vijonte fluturimin drejt bazës ajrore në Normandi. Forcat Ajrore Franceze bënë të ditur se avionët luftarakë u ngritën në ajër për të interceptuar dhe shoqëruar avionin drejt Évreux. Autoritetet franceze konfirmuan se situata po ndiqej në kohë reale, në përputhje me procedurat e sigurisë.

Ndërkohë, një tjetër alarm u raportua në një fluturim të Wizz Air, i cili u nis nga Malpensa dhe u devijua drejt Vjenës. Edhe avioni që udhëtonte nga Helsinki drejt Romës u ul në aeroportin Fiumicino. Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh të ngjashme të raportuara gjatë ditëve të fundit në disa aeroporte evropiane. Sipas informacioneve të bëra publike, rreth dhjetë fluturime janë shënjestruar nga kërcënime të dyshuara si të rreme për bomba.

Katër prej rasteve të raportuara kanë përfshirë fluturime të kompanisë Ryanair, mes tyre linjat Mançester-Murcia, Lisbonë-Romë, Dublin-Romë dhe Dublin-Sofje. Autoritetet vijojnë të zbatojnë procedurat e sigurisë për verifikimin e kërcënimeve, ndërsa incidentet kanë shkaktuar devijime dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë në disa aeroporte të kontinentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme