Papa Françesku nis vizitën në Irak

Botë | 6 vite më parë

Papa Françesku nisi vizitën katërditëshe në Irak, duke thënë në prag të udhëtimit se ai po shkon si “pelegrin i paqes” në vendin me shumicë myslimane, të shkatërruar nga lufta.

Papa, 84 vjeç, tha se do t’iu shtrijë dorën “vëllezërve dhe motrave të feve të tjera”, ndërsa vuri në pah “çmimin e rëndë” që kanë paguar komunitetet e krishtera në Irak gjatë dekadave të kaluara.

“Kam dëshirë t’ju takoj, të shoh fytyra të reja, të vizitoj tokën tuaj, djepin e lashtë dhe të jashtëzakonshëm të civilizimit”, i tha Papa popullit irakian.

“Unë vij si një pelegrin, një pelegrin i penduar, për të kërkuar falje dhe pajtim nga Zoti pas viteve të luftës dhe terrorizmit”, tha ai.

Vizita shënon udhëtimin e parë të Papës jashtë vendit prejse ka nisur pandemia e koronavirusit, një vit më parë.

Ai do të marrë pjesë në një varg ngjarjesh deri më 8 mars.

Komuniteti i krishterë irakian, që numëron 300,000 banorë, është një ndër më të vjetrit në botë.

Numri i tij ka rënë nga rreth 1.5 milion, sa ishte para rënies së diktatorit Saddam Hussein, në vitin 2003.

Komuniteti ka qenë subjekt i persekutimeve dhe sulmeve nga grupe ekstremiste, duke përfshirë Shtetin Islamik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme