Ristrukturimi i ekonomisë dhe nevoja për një model të ri

Të pakënaqur me ecurinë e derisotme të ekonomisë shqiptare, por me synimin për një perspektivë të re të saj, ekspertë të biznesit, përfaqësues të qeverisë dhe akademikë debatuan në një forum për të gjetur rrugët e reja për përmirësimin e saj.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen shumë biznese dhe ndonëse indeksi për ekonominë i AmCham i vitit 2023 tregoi përparime të rëndësishme, problemet e evidentuara si mungesa e krahut të kualifikuar të punës, aksesi i kufizuar në financim, shqetësimet për mbizotërimin apo jo të ligjit, infrastruktura jo gjithmonë optimale, burokracitë apo vonesat në administratën publike, fenomeni i korrupsionit etj. janë të gjitha shqetësime reale që qëndrojnë në majën e agjendës sonë,” deklaroi ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja.

Në mendimin ekonomik dhe sidomos në rrugët për përmirësimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, përplasen shumë alternativa, por disa çështje mbeten për t’u zgjidhur, pavarësisht forcave politike që kanë pushtetin.
“Ne këtu kemi monopol me ligj, i cili ka vrarë konkurrencën, për mua është një problem i jashtëzakonshëm, shumë i madh. Këtu rikthehemi te ligjbërja me porosi, te debati i ditëve të fundit për një dhomë të tregtisë shtetërore. Në vend që të lëvizim nga një shtet i madh që bën çdo gjë, shteti ynë merr përsipër funksione që i takojnë biznesit,” u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit Kuvendor të Integrimit.

Çështjet që debatohen kanë të bëjnë me ekonominë reale dhe më shumë se sa deklarimet politike, janë sondazhet dhe vëzhgimet që tregojnë këtë realitet.
Në grafikët në vijim pasqyrohet informaliteti i ekonomisë shqiptare dhe faktorët që e krijojnë atë.

Forumi i organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe revista “Monitor” hodhi dritë dhe debatoi për disa nga problemet kyçe të ekonomisë shqiptare në këtë stad të zhvillimit të saj dhe sidomos të perspektivës që dëshirojnë aktorë të ndryshëm nga biznesi, por edhe nga politika.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




