Strategjia e Mbrojtjes Sociale: Ekonomia është përqëndruar në aksin Durrës–Tiranë– Laç, thellohen pabarazitë mes qarqeve

Ekonomi | 3 vite më parë

Strategjisë Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024– 2030, ka nxjerrë në pah faktin se i gjithë potenciali ekonomik i vendit tonë është mbyllur kryesisht në trekëndëshin Durrës–Tiranë– Laç.

Në raport theksohet se Shqipëria vlerësohet si një vend i polarizuar në përgjithësi dhe sidomos në aspektin e potencialit ekonomik.

“Strategjia vlerëson që ekzistojnë pabarazi të konsiderueshme midis qarqeve më të zhvilluara të Tiranës dhe të Durrësit dhe atyre më pak të zhvilluara si Kukësi dhe Dibra, si dhe midis zonave rurale dhe urbane”, thuhet në dokument.

Në raport theksohet se zhvillimet demografike kanë krijuar shproporcione të rëndësishme.

Kështu, në vitin 2021, vetëm në aksin Tiranë–Durrës–Fier janë të vendosur 1,490,221 banorë, pra pak më shumë 50% e popullsisë së vendit dhe vetëm qarku i Tiranës, ndër 12 qarqet, ka mbizotërim të popullsisë urbane (88.5% e popullsisë).

“Qarku i Durrësit dhe i Vlorës kategorizohen me popullsi të natyrës së ndërmjetme (respektivisht 24.7% dhe 43.9% popullsi rurale) ndërsa 9 qarqet e tjera mbizotërohen nga popullsi rurale. Fondi për zhvillimin rajonal mbetet burimi më i madh i financimit për investimet kapitale dhe ndërhyrjet në infrastrukturën lokale dhe rajonale.”, thuhet në dokumentin zyrtarë të Strategjisë Kombëtare e Mbrojtjes Sociale.

Rritja e PBB-së në nivel rajonal paraqet rezultate të përziera dhe flet për një ekonomi vendore të brishtë.

“Pesha e kontributit të Tiranës në PBB është në rritje (44% e PBB-së më 2021 krahasuar me 40% më 2016), ndërsa kontributi i qarqeve të tjera është më pak i konsiderueshëm. Rajoni i veriut kontribuon 22.3% në PBB vjetore ndërsa ai i jugut 27%. Bashkitë e veriut në përgjithësi dhe bashkia e Kukësit në veçanti mbeten më të varfrat në Shqipëri. PBB-ja për frymë në qarkun e Kukësit është 59% e mesatares kombëtare. Në 7 ndër 12 qarqe, mbi 50% e punësimit është në bujqësi (luhatet nga 51% në Gjirokastër në 70% në Kukës). Qarku me punësimin më të madh në sektorin e industrisë është Durrësi, ndërsa 70% e punësimit në qarkun e Tiranës është në sektorin e shërbimeve.”, theksohet në dokument.

Zhvillimi rajonal

Zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal është i një rëndësie të posaçme kur bëhet fjalë për mbrojtjen sociale.

Masa dhe cilësia e këtij zhvillimi kushtëzon punësimin e të papunëve veçanërisht nga kategoria e familjeve në ndihmë ekonomike, punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe grave, si dhe aftësinë e pushtetit vendor dhe të aktorëve të tjerë lokalë, për të vënë në dispozicion burime njerëzore dhe financiare në mbështetje të grupeve të përjashtuar.

“Rezulton që transformimet e shumanshme që ka pësuar vendi gjatë këtyre 30 viteve të fundit kanë theksuar pabarazitë dhe diferencat e mëdha demografike, ekonomike dhe zhvillimore”, thekson dokumenti.

Remitancat dhe ndikimi në uljen e varfërisë

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, mbi 30 miliardë dollarë në formën e prurjeve të emigrantëve kanë hyrë në ekonominë shqiptare.

Niveli i remitancave është shtuar ndjeshëm dy vitet e fundit çka korrespondon me ciklin e ri të emigracionit të viteve të fundit.

Ato kanë furnizuar me të ardhura 13% të buxhetit të familjeve. Gjysma e prurjeve kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër, është përdorur për t’u arsimuar dhe për shërbime të tjera.

“Kontributi kryesor i remitancave lidhet me reduktimin e varfërisë të shumë familjeve. Një pjesë e vogël e tyre është investuar në ekonomi, kryesisht në biznese të vogla dhe ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendës”, nënvizohet në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme