Intensifikohet puna në aksin rrugor Thumanë-Vorë-Kashar.

Ritme të mira punë për të përfunduar brenda afatit aksin rrugor Thumanë-Vorë-Kashar. Televizioni shqiptar ndoqi nga afër punimet në këtë projekt prej 21 kilometra, që kushton 1,3 miliardë euro.
Kjo autostradë e re, do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vorës dhe do të lidhë dy pika, segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri me autostradën Tiranë-Durrës në jug.
Dy kompanitë shqiptare, që kanë fituar koncesionin për këtë aks rrugor, me një vendim të qeverisë në maj 2022, janë duke punuar intensivisht për përfundimin e saj. Rruga e re është marrë me koncension për 35 vite. Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/orë.
Kjo autostradë, do të përbëhet nga dy karrexhata, të pavarura, të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me të paktën dy korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, me kontroll strikt të aksesit, – i thanë RTSH-së, jashtë kamerave, inxhinierët e këtij investimit të rëndësishëm.
Sipas projektit, janë identifikuar 13 fshatra/zona kadastrale në të cilat kalon gjurma e projektit , të cilat janë pjesë e bashkive të Tiranës, Vorës, dhe Krujës. Rreth 90 ha tokë bujqësore vlerësohet e ndikuar nga projekti.
Koncesioni i miratuar në fund të majit 2022 parashikon mbi 1.56 miliardë euro, me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës. Kontrata ka ndryshuar dhe parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë ndërtim i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje.
Projekti parashikon projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe më pas transferimin tek shteti. Burimet financiare për ndërtimin e rrugës do të sigurohen nga koncesioni dhe ky i fundit do të marrë në kthim të ardhurat nga tarifat që do të vendosen për kalimin në rrugë përgjatë gjithë periudhës së koncesionit. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.
Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro. Kontrata parashikon që tarifa që do të vendoset në rrugë do të jetë e pavarur edhe pse ajo do të duhet të marrë miratimin edhe të autoritetit kontraktor. Tarifa do të ndryshojë dhe rrumbullakoset një herë në katër vjet.
Aksi Thumanë-Kashar ishte pjesë e projektit “Një miliard”. Qeveria u tërhoq nga projekti në vitin 2019 duke deklaruar se paratë e dedikuara për projektin do t’i dedikoheshin “Paktit me Universitetin”. Situata përfundoi në gjykatë, që i dha të drejtë kompanive private. Pjesë përbërëse e rrugës janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra. Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra.
( Gazetar Bardhi Sejdarasi )
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




