Akademia e Sigurisë i jep titullin “Honoris Causa” zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Italisë

Aktualitet | 3 vite më parë

Akademia e Sigurisë ka nderuar me titullin “Honoris Causa” zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi. Ky është titulli i parë i këtij niveli që jep Akademia e Sigurisë, ndërsa në shenjë mirënjohje, Rizzi i dhuroi Policisë së Shtetit, 400 kopje të librit të tij, me titull “Investigare 4.0”. 

Titulli iu dorëzua Rizzit nga Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, i cili gjatë fjalës së tij, vlerësoi partneritetin mes Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe Akademisë së Sigurisë në Romë.

“Dua të falënderoj autoritetet drejtuese të Policisë së shtetit italian dhe Prefektin Rizzi, të cilin sot kemi nderin ta kemi të pranishëm, për kontributin e çmuar të dhënë në mënyrë të vazhdueshme për Policinë e Shtetit. Ne sot jemi histori suksesi për rikthimin e besimit të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, te Policia e Shtetit. Për to jemi partnerë në shkëmbimin e cilësive profesionale dhe me interesa të njëjta. Sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare janë ato me të cilat janë përballur dhe përballen edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Akademia e Sigurisë sapo është akredituar në sistemin e rrjetit të arsimit të lartë, ofron arsim profesional dhe kurrikulat janë në proces certifikimi. Falënderojmë partnerët tanë vendas, Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Tiranës, Shkollën e Magjistraturës dhe shumë partnerë të tjerë. Takimi i sotëm flet për ecurinë e këtij bashkëpunimi”, tha ai.   

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe zv.ministrat e Brendshëm Besfort Lamallari dhe Julian Hodaj.

“Përfitoj nga rasti të shpreh nderimin dhe konsideratën time më të lartë, për drejtuesit e Policisë së Shtetit të Italisë, për mbështetjen e gjithanshme që kanë dhënë dhe japin për Policinë e Shtetit shqiptar, dhe në veçanti, për zhvillimin e sistemit arsimor policor në Akademinë e Sigurisë. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive për rekrutimin e personelit, pasurimin e akademive të sigurisë së dy shteteve, me materiale dhe me plane mësimore, duke shkëmbyer praktikat më të mira në organizimin e aktiviteteve didaktike; mundësimin e lektorëve tanë të marrin eksperiencë dhe rritje të kapaciteteve mësimdhënëse në Akademinë e Policisë italiane, si dhe në fushën e kërkimit shkencor. Ndihmë të vyer ky bashkëpunim ka patur dhe për studentët tanë të cilët kanë rritur njohuritë nëpërmjet trajnimeve pranë Akademisë së Romës”, tha Rrumbullaku.

Në fjalën e tij, Rizzi kujtoi edhe një takim me kryeministrin Edi Rama dhe mbresën që i kishte lënë fjala e tij se forca dhe madhësia e një shteti nuk maten me atë se çfarë ka një shtet, por me atë çfarë di një shtet.

“E citoj gjithmonë, e them gjithmonë edhe në takimet ndërkombëtare, e them edhe kur jap mësim në shkollat e Policisë italiane, një mësim shumë të madh e kam marrë nga kryeministri Rama, kur në rastin e një ndër takimeve që kemi patur në Shqipëri, me kolegët, kemi pasur privilegjin që ai të na priste. Asokohe unë përcillja një delegacion me Ministrin e Brendshëm italian. Erdhëm dhe u pritëm nga kryeministri Rama që flet një italishte të jashtëzakonshme. Ai ka nënvizuar shumë herë në gjithë fjalimin e tij, tematikën e formimit, e përgatitjes akademike, sa e rëndësishme është të krijohet një kulturë e ligjshmërisë, një kulturë e demokracisë dhe se si kjo duhet të ishte pasuri e forcave të rendit.

Ai i kërkoi ministrit, që më pas më kaloi mua detyrën, për t’u kujdesur për pjesën teknike, pra i kërkoi një kontribut të shkollës së Policisë italiane, për të ndërtuar një rrugëtim së bashku, që të mund të sillte binjakëzim të shkollave tona. Është një rrugëtim që edhe akademitë publike dhe private po bëjnë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, ndaj është një rrugëtim që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi institucional dhe politik mes 2 vendeve. Ajo çfarë më ka lënë mbresa nga fjalimi i zotit Rama, ishte se forca dhe madhësia e një shteti nuk maten me atë se çfarë ka një shtet, por me atë çfarë di një shtet.  Unë ndihem thellësisht i nderuar që mora sot këtë titull”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme