Akuzat e SPAK-ut, Valteri: Berisha e ka çuar PD-në me kuotat nën zero

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Halit Valteri ka deklaruar në emisionin “3D” se njeriu që e ka çuar Partinë Demokratike në kuotat nën zero, është vetë Sali Berisha.
Duke iu referuar akuzave të fundit të ngritura nga SPAK ndaj Sali Berishës, Valteri theksoi se më shumë se sa vetë kryeministri Rama, ai që e ka dëmtuar Partinë Demokratike dhe vetë opozitën, është Berisha.
“Partia Demokratike ka arritur kuotat nën zero vetëm për shkak të këtij njeriu dhe nuk ka goditje më të madhe që mund t’i japë Partisë Demokratike dhe opozitës duke prodhuar një mazhorancë të papërgjegjshme sot. Ne kemi një mazhorancë sot që ka luksin që të bëjë gabime sa të dojë sepse nuk ka një konkurrent përballë që t’i marrë pushtetin dhe kjo është falë meritës së Sali Berishës”, u shpreh Valteri. Ndërsa shtoi se “nëse do të kishim një drejtues të opozitës që nuk i shet interesat e popullit mazhoranca do të kishte rënë tre-katër herë dhe Edi Rama që mbretëron sot në Shqipëri dhe ka luksin që të fitojë sa herë të dalë në zgjedhje me këta është për shkak të egos dhe poshtërsisë së këtij njeriu”
Valteri e ka konsideruar qëndrimin e Berishës ndaj sistemit të drejtësisë me standard të dyfishtë.
“Njeriu që e ka dëmtuar më shumë opozitën më shumë se Rama, është vetë Sali Berisha me veprimet dhe mosveprimet e tij. SPAK-u kur godet Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Arben Ahmetajn, Vangjush Dakon do të thotë që drejtësia funksionon për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Kur SPAK-u kthehet nga familja e tyre do të thonë që drejtësia është e kapur nga Edi Rama”, theksoi Valteri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




