Alibeaj nga Berati: Nuk është çudi që Berisha të ketë shkruar librin e Enver Hoxhës “rreziku anglo-amerikan”

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar Sali Berishën se ai mund të qëndrojë pas shkrimit të librave të diktatorit Enver Hoxha.

Alibeaj tha se duke parë mënyrën se si Berisha flet sot ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA, nuk është e çudi që vetë Berisha të ketë shkruajtur veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” të diktatorit Hoxha.

 “Mbani mend kur Enver Hoxha shkruajti veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”? Në atë kohë Sali Berisha ishte në moshën 38 vjeçare. 38 vjeç dhe kishte vite madje që shërbente si bashkëpunëtor I revistës “shkenca dhe jeta”. Revistë e cila botohej nga Komiteti Qëndror I Bashkimit të Rinisë të Punës së Shqipërisë. Do të thotë shumë. Dihet madje që diktatori Enver Hoxha nuk i shkruante vet librat e tij, ia shkruanin të tjerët.

Ia shkruanin njerëz të devotshëm, njerëz që e kishin shfaqur talentin për të bërë propagandën e regjimit në gazetat dhe revistat e kohës. Njerëz të cilët ishin shumë të besuar. Njerëz shumë të afërt dhe ata të afërtit që mund t’I ftoje edhe në ditëlindjet dhe eventet e diktatorit. Unë nuk kam fakte në fakt që librat ia ka shkruar Sali Berisha Enver Hoxhës.

Enver Hoxha vetëm shkruante emrin në librat që ai I botonte, por ama duke parë se çfarë flet dhe çfarë bën tani, kundër aleatëve tanë perëndimorë, kundër vlerave euro-atlantike, për mua nuk do të ishte e pamendueshme që “rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë ta kishte shkruar edhe Sali Berisha në atë kohë. E pra, qëndrimi që mban sot Sali Berisha ndaj Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve, është I njëjti si qëndrimi që mbante Enver Hoxha anglo-amerikanëve”, tha Alibeaj.

Këto deklarata Alibeaj i bëri nga Berati ku zhvilloi një takim me demokratë e Beratit për të kërkuar mbështetjen e kandidatëve të partisë për këshillin bashkiak të këtij qyteti.

Alibeaj tha se kandidatët e PD për këshillin bashkiak janë garanci për të ardhmen dhe menaxhimin e interesave të qytetarëve të Beratit.  Alibeaj akuzoi Berishën se rrezikoi asgjësimin e PD për interesat e tij duke e kthyer atë në një bunker anti-amerikan.

“Rreziku ka qenë I madh. Rreziku ka qenë I madh, sepse rreziku vinte nga një individ, përfituesi I madh nga Partia Demokratike. Sulm, goditje me idenë që të asgjësohej Partia Demokratike për një hall personal. E pandershme për të gjithë demokratët që kanë kontribuar e kanë lidhur fatin e tyre personal, reputacionin e tyre me siglën e Partisë Demokratike. Ky ishte rreziku. Rreziku ishte ta kthente Partinë Demokratike në një bunker anti-amerikan. Ta bësh këtë gjë, do të thotë ta ekzekutosh Partinë Demokratike. Ta asgjësosh atë”, tha Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme