Alibeaj tregon objektivin e PD për 14 Majin: Të ruajmë ekzistencën e PD. Ja 3 bashkitë ku fitojmë

Tre javë para zgjedhjeve, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj, po bën përpjekje për të mos rritur pritshmëritë për rezultatin e PD në 14 maj. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH ai i shmangu shifrat, por tha se për shkak të agresionit të jashtëm dhe të brendshëm, synimet politiko-elektorale të PD janë të ridimensionuar.
“Synimi aktual është të ruajmë ekzistencën e partisë, pasi duhet ta pranojmë që ka ndodhur një plagosje e strukturave tona.”– theksoi zoti Alibeaj, i cili synon të gjejë elektoral mes njerëzve që nuk shkojnë fare të votojnë.
“Sipas të dhënave zyrtare rezulton se 50% e shqiptarëve refuzojnë me neveri tre fosilet politike, Ramën, Berishën, Metën. Kur të shohim sa do të jetë përqindja, mbështetja që qytetarët do të na japin, do të bëjmë analizat tona.”- tha zoti Alibeaj.
Megjithëse nuk pranoi të flasë me shifra se çfarë do të thotë të ruajë ekzistencën e PD, Enkelejd Alibeaj ka një parashikim se ku pret të fitojnë kandidatët e PD zyrtare nga 14 bashki ku kanë kandiduar.
“Po, presim të fitojmë në Finiq, Mallakastër, Dimal.”
Kreu i komanduar i PD, nuk e përfshiu Tiranën në hartën e fitores, por tha se Roland Bejko është kandidati i vetëm që përfaqëson të djathtën reale.
“Në çdo rast do të jetë sukses.”- u shpreh ai për emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




