Aplikimet për studimet e larta, “Eqrem Çabej” fton maturantët të zgjedhin programet e tij
Në kohën kur maturantët janë duke vendosur se ku do t’i vazhdojnë studimet e larta, rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Jaho Cana, u bën thirrje të zgjedhin mes degëve që ky institucion akademik ofron në të tria fakultetet: Ekonomikut, Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore dhe atij të Shkencave Natyrore. Për mikrofonin e RTSH, z. Cana rendit edhe arsyet pse.
“Studentët tashmë janë kthyer jo thjesht në një subjekt, por në një objekt shumë të rëndësishëm, duke marrë pjesë aktive në vendimmarrjen e universitetit tonë. Këtyre studentëve u janë hapur të gjitha hapësirat për t’u bërë pjesë e projekteve të kërkimeve shkencore dhe mbi të gjitha nëpërmjet mobiliteteve që tashmë ne kemi fituar me Spanjën, Poloninë, Greqinë, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shprehet rektori Cana.
Për sa u përket degëve prioritare, kreu i universitetit “Eqrem Cabej” thekson se për vitin e ardhshëm akademik pritet të shtohet fondi për marrjen e pagës 40-mijëlekëshe.
“Në qoftë se gjatë vitit të kaluar kishim një numër më të limituar bursash, këtë vit presim që ato të jenë gati dyfish. Përfitimi i studentëve që do të ndjekin këto degë natyrisht që do të jetë shumë i lartë,” thotë z. Cana.
Universiteti i Gjirokastrës ofron 41 programe studimi në të gjitha ciklet, duke nisur nga programet 2-vjeçare profesionale, Bachelor, Master Profesional, Shkencor, Ekzekutiv dhe Doktoraturë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





