Arsimi Parauniversitar, zbardhet udhëzimi i përbashkët për sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2026, datat e provimeve dhe kriteret e pjesëmarrjes

Arsim | 2 muaj më parë

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kanë publikuar udhëzimin e përbashkët nr. 12, i cili përcakton kalendarin, rregullat dhe procedurat organizative për zhvillimin e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore dhe asaj Profesionale për vitin 2026.

Kalendari i provimeve dhe orari i zhvillimit

Sipas udhëzimit zyrtar, provimet e sesionit të vjeshtës do të nisë më 24 gusht dhe do të përmbyllen më 3 shtator 2026. Të gjitha testet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.

24 gusht 2026: Gjuhë e huaj

27 gusht 2026: Gjuhë shqipe dhe Letërsi

31 gusht 2026: Matematikë

3 shtator 2026: Provim me zgjedhje (për Maturën Shtetërore) / Provim i teorisë profesionale të integruar (për Maturën Profesionale)

Kategoritë e kandidatëve dhe procedurat e regjistrimit

Në këtë sesion kanë të drejtë të marrin pjesë mbetësit e sesionit të parë, si dhe nxënësit që shlyejnë provimet shkollore të vjeshtës brenda datës 7 gusht 2026. Gjithashtu, përfshihen kandidatët nga vitet e kaluara dhe ata që kanë kryer njësimin e diplomës së shkollës së mesme.

“Maturantët/kandidatët e përcaktuar duhet të plotësojnë formularin A1Z, për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore dhe të Maturës Shtetërore Profesionale 2026, nëse nuk e kanë plotësuar atë në sesionin e parë.”, thuhet në Udhëzim.

Për kandidatët me aftësi të kufizuara, udhëzimi parashikon kushte të përshtatura zhvillimi në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Organizimi i përqendruar dhe monitorimi

Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, provimet do të zhvillohen të përqendruara në qendra specifike të përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), duke marrë parasysh numrin e nxënësve dhe largësinë gjeografike.

“Provimet të zhvillohen të përqendruara. Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) përcakton qendrat e provimeve, duke u bazuar në numrin e maturantëve dhe në largësinë nga qendra e provimit.”, sqaron Udhëzimi.

Hartimi dhe vlerësimi i testeve do të mbulohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), ndërsa monitorimi në terren do të kryhet nga përfaqësues të ministrive përkatëse dhe institucioneve të varësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme