Aurora Borealis, fenomeni natyror dhuroi pamje magjepsëse në qiellin evropian

Botë | 3 vite më parë

Një fenomen i rrallë natyror i njohur si Dritat e Veriut, dhuroi pamje mahnitëse në shumë vende të Evropës gjatë fundjavës. Një spektakël ngjyrash në qiell me nuanca të së kuqes së ndezur, së gjelbrës dhe të purpurtës që në gjuhën shkencore njihet si  “aurora borealis” u pa nga miliona njerëz në pjesë të ndryshme të Britanisë, Greqisë, Kroacisë, Bosnjes, Turqisë, Sllovenisë, Ukrainës e Rusisë.

Ky fenomen unik natyror, i njohur si Dritat e Veriut u vëzhgua në shumë vende evropiane për shkak të një stuhie të fortë diellore që goditi Tokën gjatë fundjavës.

Dritat e Veriut janë një fenomen optik natyror që shkaktohen nga ndërveprimi i grimcave që vijnë nga diell i dhe hyjnë në atmosferën e planetit tonë.

Oksigjeni prodhon dritën jeshile, ndërsa azoti bën që qielli të shkëlqejë me ngjyrë të kuqe. Aurorat ndodhin më shpesh në vendet nordike, por sipas një raporti, këtë vit pritet që të jenë më të fortat e një dekade për shkak të rritjes së aktivitetit në diell.

Ishte astronomi italian Galileo Galilei ai që shpiku emrin “aurora borealis” në vitin 1619, sipas perëndeshës romake të agimit, Aurora dhe perëndisë greke të erës së veriut, Boreas.

Gazetare V. Zharri

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme