Balla: Duhet një politikë e re penale, dënim ekzemplar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi në Kuvend nevojën për një politikë të re penale, duke shprehur bindjen se sistemi i drejtësisë do ta bëjë këtë. Duke iu referuar ngjarjes së fundit në Fier ku humbi jetën një punonjës policie, ministri tha se ndëshkimi i drejtësisë për këdo që ngre dorë kundër punonjësit me uniformë, duke të jetë i ashpër, siç parashikohet në Kodin Penal.
“Nëse qytetari mendon se ka të drejtë ndërsa punonjës i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin”u shpreh ministri.
Na duhet të vendosim një standard të ri, vazhdoi Balla, përsa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit.
“Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim”u shpreh ai.
Duke iu referuar ngjarjes së fundit të vrasjes së një efektivi në Fier, Balla i bëri thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar.
“Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshëm punonjësve të Policisë së Shtetit përbën kundërvajtje penale, e cila për ata që nuk e dinë, nëse një punonjës policie të bën thirrje ose të kërkosh të largohesh, të mbash distancën mosbindja dënohet me burgim deri në 3 muaj; nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, dënimi shkon deri në 1 vit burg; e kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohesh deri në 7 vite burg. I kemi shkruar dhe miratuar ne në Kod Penal, Kuvendi i Shqipërisë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




