Balla takim me drejtuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit në Londër: Do bashkëpunojmë ngushtë në luftën kundër narkotikëve e pastrimit të parave

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit(NCA) në Londër, ku deklaron se po bashkëpunohet ngushtë me partnerët britanikë në disa fusha, që përfshijnë luftën kundër narkotikëve e pastrimit të parave.
Pas takimit me drejtuesit e NCA-së për operacionet e përbashkëta kundër grupeve kriminale, Balla është shprehur se në fokus të bisedës ishte procesi i vetëpastrimit të policisë dhe bashkëpunimin me Interpol mbi ekstradimet e personave në kërkim nga Dubai dhe vende të tjera.
Ministri thekson se një pjesë tjetër janë operacionet e përbashkëta, në hetimin e pastrimin e parave përmes kriptomonedhave.
“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet ligjzbatues britanike, e natyrshëm disa prej çështjeve që diskutuam për të marrë eksperiencën britanike, në atë që e kam quajtur vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga elementët që bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Ky është një proces që vijon prej shumë kohësh edhe në Policinë Britanike, sikurse dhe procesi i Vetting-ut. Shkëmbimi i eksperiencave është i domosdoshëm. Do të marrim prej tyre modele, sesi ata kanë përqasura kontrollin e komunikimeve telefonike të oficerëve të Policisë. Këtu në Britaninë e Madhe punonjësit e Policisë nuk mund të përdorin telefona veç atyre që u jepen nga vetë institucioni.
Kemi diskutuar edhe për një problematikë që diskutohet shpesh herë në Shqipëri, siç janë operacionet e Europol për aplikacionet Enrochat dhe ECC, sepse dhe për ta është e njëjta sfidë, dhe natyrshëm ka dhe investigime për përfshirje të punonjësve të Policisë.
Një pjesë tjetër janë operacionet e përbashkëta, në qasjen ndaj grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike, si dhe hetimin e pastrimin e parave, jo vetëm në formën që ne njohim por edhe përfshirjen e grupeve kriminale për pastrimin e parave përmes kriptomonedhave”, u shpreh ministri shqiptar i Brendshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




